5 gusht 2015 – Përfundoi me sukses riparimi i 10 anijeve të dhuruara nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA në përbërje të Forcës Detare, njoftoi komanda me seli në Plepa të Durrësit.
Gjatë muajit korrik 2015 në kantierin e ndërtimit të anijeve (KNA) të Pashalimanit dhe molet përbri tij u bë riparimi i anijeve të dhuruara nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA për Forcën Detare shqiptare. Siç informon kapiten i rangut III Olsi Avduli, koordinator i këtij projekti, e gjithë puna për riparimin e 10 anijeve u realizua me bashkëpunimin ndërmjet specialistëve amerikanë, atyre të KNA-së dhe efektivëve të Flotiljes Detare. Gjithë puna u mundësua në saje të një projekti pilot të Zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak të SHBA në Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes.
fillimisht u riparuan dhe u zëvendësuan 3 tubolarë të anijeve të klasit “Archangel”; pastaj u bë edhe zëvendësimi e montimi i 3 gjeneratorëve të rinj në anijet e klasit “Era”. Në të gjitha anijet u instalua një sistem i ri i integruar, ku aktivizimi i borisë, sirenës, megafonit dhe fenerlinave të anijes bëhet nga një pajisje e vetme.
Në përfundim të punimeve anijet dolën në lundrim për kryerjen e provës dhe testimin përfundimtar, i cili rezultoi i suksesshëm. Punimet për riparimin e anijeve u inspektuan dhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Jeronim Bazo.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





