DURRËS, 17 nëntor 2014

Pleshti me xixëllonjën 
ra në dashuri,
pleshti xhuxh edhe i zi.
Ky emrin e kishte Plluc,
i thonin edhe Pleshtuc…
…I ati e shihte dhe bëhej vrer:
Pse Pllucit shëndeti s'i merr?
Pse Pllucit koka i dhemb 
dhe dhembja i shpon si gjemb?
Të ligur kaq shumë 
s'e kam parë kurrë, 
ka mbetur kockë e lëkurë.
Ç’më gjeti mua të shkretin plak
e kam të vetëm, jam bërë merak…

 

Mbi këto vargje të shkrimtarit të madh shqiptar Dritëro Agolli, koreografi i talentuar durrsak dhe regjisorja e mirënjohur Driada Dervishi kanë servirur magjinë e radhës pranë Teatrit “Aleksandër Moisiu” Durrës. “Pleshti dhe xixëllonja”, një musical surprizë, me një pjesëmarrje masive prej 120 personazhesh; të gjithë fëmijë të moshave 3-15 vjeç. Studio e baletit “Arian Plaku” dhe një herë përcolli emocione dhe gjallëroi jetën artistike të vogëlushëve durrsakë.

Gjithashtu nuk mund të lëmë pa përmendur dhe ata që ndihmuan në realizimin e këtij spektakli të mbushur plot ngjyra, aktrim, batuta e vallëzime: formuluesin muzikor Julian Shyti, kostumografen Alketa Tragaj, si dhe fëmijët e mrekullueshëm Alessia Reçi, Ari Metani, Luisjano Hate, Diora Bulku, Kiara Xoxo, Gledis Lila, Ana Prifti, Ivon Ferri etj.

/g.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/