Ndalesa e rradhës e “Koncert në karantinë” ishte lagjja nr.17 në Durrës. Ashtu si në të gjitha lagjet e tjera të qytetit bregdetar ku këngëtarët dhe humoristët kanë dhuruar alegri, muzikë dhe ritëm, tek blloku i pallateve pranë UKD u krijua një atmosferë vërtet festive.
Si për të kujtuar lidhjen e fortë që ekziston mes Durrësit dhe Italisë, banorët e bllokut të pallateve dhe artistët kujtuan periudhën e vështirë që po kalon vendi fqinjë dhe shumë prej shqiptarëve që jetojnë e punojnë atje prej vitesh.
Kënga e famshme “Lasciatemi cantare” u bë kolonë zanore për të gjithë pjesëmarrësit; këngëtarët në shesh dhe banorët nga dritaret apo ballkonet e tyre.
Një dedikim i veçantë iu bë edhe aktorit të njohur të teatrit “Aleksandër Moisiu”, Lutfi Hoxha, të cilit Kosta Bonshi i kushtoi një këngë. Dhe meqë ishte dita e surprizave, një surprizë erdhi edhe nga inxhinieri teknolog i njohur Nazif Tivari, që i dhuroi nismëtarit të koncertit, Ardi Omerit, një vazo me lule.
Vazoja me lule i dedikohet të gjithë këngëtarëve durrsakë, pjesëmarrës në “Koncert në karantinë” nga banorët e lagjes nr.17.
Koncerti u mbyll me shpalosjen e flamujve kombëtarë të Italisë dhe Shqipërisë, ndërsa në sfond ishte zëri i të mrekullueshmes Vaçe Zela.
Suksesi dhe jehona që po merr nisma e poetit Ardi Omeri i ka kaluar kufijtë e Durrësit.
Vetë Omeri pranon se kanë kërkesa të pafundme nga të gjithë banorët e lagjeve të ndryshme të qytetit bregdetar, që duan të ndjekin koncertin e këngëtarëve poshtë ballkoneve të tyre.
“Nuk po arrijmë t’i kënaqim të gjithë,- thotë Omeri, ndërsa shton se,- na vijnë mesazhe të panumërta nga e gjithë bota, atje ku jetojnë shqiptarë që ndjekin koncertin tonë nëpër rrjete sociale nga lidhjet live të familjarëve të tyre në Durrës”.
*Fotot dhe pamjet filmike studio Adi Domi





