Një 31-vjeçar shqiptar me precedentë të mëparshëm penalë të lidhur me drogën është arrestuar nga karabinierët në Milano me akuzën e rëndë e plagosjes në fytyrë të një shqiptari tjetër 21 vjeç.

Ngjarja mizore ndodhi më 10 janar dhe bëri bujë në qytetin verior për aktin e dhunshëm, raportojnë mediet italiane.

Viktima u plagos me armë zjarri dhe plumbi i hyri në fytyrë duke kaluar njërën faqe dhe duke i thyer disa dhëmbë. Ai u transportua menjëherë në spitalin Niguarda dhe iu nënshtrua operacionit për rindërtimin e nofullës dhe të gjuhës.

Për fat, 21-vjeçari shpëtoi. Arrestimi i autorit të plagosjes është kryer të martën por sot është konfirmuar nga policia italiane.

Vrasja e mbetur në tentativë kishte ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës mes bashkëkombësve.

Nga hetimet, dëshmitë, fotografitë, analizimet e telefonatave dhe deklaratat e viktimës (edhe ai me precedentë penalë), rezultoi se 31-vjeçari nuk kishte vepruar i vetëm, por sipas policisë bashkepunetori i tij nuk rezulton më në territorin italian, ndërsa është shpallur në kërkim nga karabinierët.