Një ditë pas tentativës së grabitjes së argjendarisë në Tiranë ku mbeti i plagosur pronari, policia ka ndaluar një person si autor të dyshuar të ngjarjes.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera është bërë e mundur zbardhja dhe domumentimi i ngjarjes. Po si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve profesionale të kryera u bë kapja dhe ndalimi si autor i dyshuar i shtetasit A. N., 28 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprat penale të “Vjedhjes”, “Kundërshtimi punonjësit të rendit publik” dhe “Moskallzim krimi””, sqaron policia.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, kur është tentuar të vidhet me armë një argjendari në Rrugën e Dibrës, ku autori ka plagosur me armë zjarri pronarin e saj, shtetasin V. K., 28 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë nga ana e policisë është ngritur grupi hetimor i cili ka ngritur punën për zbardhjen e ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, në ngarkim të tij, për veprën penale “Vjedhje me armë” dhe “Plagosje e rëndë me dashje”.





