Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja që ndodhi në Krujë, ku një automjet u qëllua me armë zjarri. Ngjarja në fjalë ndodhi rreth orës 01:10, në fshatin Bilaj, në datë 6 shtator. Burime zyrtare nga policia thanë se nga hetimet ka rezultuar se bëhet fjalë për një tentativë grabitje.

27-vjeçari Bledjan Hima, i cili drejtonte mjetin tip “Benz”, me targë AA 011 MX, deklaroi se nuk i ka parë personat që kanë qëlluar. Në vendngjarje u gjet dhe u morë në cilësinë e provës materiale një gëzhojë model 56, e kalibrit 7.62 mm. Ndërkohë, policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

“Më datë 06.09.2018, rreth orës 01:10, në fshatin Bilaj, Krujë, në breg të lumit, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Benz”, i cili drejtohej nga shtetasi B. H. Nuk ka lëndime në njerëz. Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thuhej dje në njoftimin e Policisë.