Pas një debati për motive pronësie me ish-kryetarin e fshatit Rehovë të Poliçanit, Fatmir Cenaj, 58 vjeç nga ky fshat e ka plagosur me armë zjarri. Ndërkohë mësohet se ish-kryeplaku Jonuz Banaj 60 vjeç, ka ndërruar jetë në spital.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09.40 në Rehovë. Ish-kryeplaku Jonuz Banaj dhe Fatmir Cenaj prej vitesh kanë pasur një konflikt pronësie, dhe debati i këtij mëngjesi ka degjeneruar në përdorimin e armës.

Cenaj e ka plagosur me automatik, model 56. I dëmtuari u nis me helikopter drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar. Fatkeqësisht Banaj nuk ka mundur t'iu mbijetojë plagëve të marra, dhe ka ndërruar jetë në spital.

Ndërkaq autori është arrestuar në kohë rekord nga policia. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.