Një operacion i policisë së Kosovës ka vënë në pranga një person të kërkuar nga Prokuroria e Posaçme, në kuadër të hetimeve të zhvilluara mbi dosjen e bujshme kriminale “Plumbi i artë 2”.
Bëhet fjalë për Arben Lamçja për të cilën SPAK ka lëshuar urdhër-arrest.
Mësohet se ndalimi i Lamçes u bë në Prishtinë, në lagjen “Emshir”.
Ndërkaq, Autoritetet kosovare po komunikojnë me homologët në Shqipëri për gjeneralitetet e personit të ndaluar.
OPERACIONI I 31 KORRIKUT
Nga operacioni i SPAK-ut i konrektizuar prej 31 korrikut janë lëshuar urdhër-arreste për: Armis Stafa, Maksim Koci, Erzen Çopja, Franc Çopja, Hajdar Bako alias Çopja, Mikael Qosja, Maetin Musaj, Guri Biba, Pajtime Fetahu, Renato Masuku, Leonardo Rragami, Talo Çela, Altin Kamami, Rexhino Doci, Arben Lamcja, Arsen Mema, Eljo Bitri, Leam Rragami, Elvis Daka alias Dragoviç, Dorjan Dyli, Matilda Hoxholli, Denada Todi, Flobenc Mecja.
Po ashtu raportohet se masë sigurie është lëshuar edhe për dy oficerë policie.
Urdhër-arrest është lëshuar edhe për të shumëkërkuarin Talo Çela.
Talo Çela i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.
Çela është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 9 prill 2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.
Gjithashtu ai dyshohet se fshihet pas atentatit me armë zjarri të dy vëllezërve Haxhia në Durrës.
Mësohet se në këtë operacion janë vënë në shënjestër për t’u arrestuar, personat me precedentë penal të akuzuar për vrasje, trafik droge dhe sigurim të kushteve për të kryer vrasje.
Mes vrasjeve të bujshme që janë zbardhur është ajo e Klevis Kapllanit në Rrogozhinë, vrasja e trefishtë në Bradashesh në 2018 dhe atentati ndaj vëllezërve Baho, ku njëri prej tyre mbeti viktimë (Klevi Baho) dhe tjetri i plagosur (Sandër Baho).
Vrasja e Klevis Kapllanit
Klevis Kapllani u ekzekutua me breshëri plumbash brenda mjetit “Fiat Punto”, vetëm pak metra larg banesës së tij në fshatin Sinaballaj të Rrogozhinës. Ai u gjet i pajetë rreth orës 6 të mëngjesit të 15 shtatorit të vitit 2020 nga një banor i zonës, i cili kishte dalë për të grumbulluar qumështin.
Hetuesit kanë zbuluar se vrasja e 33-vjeçarit ka ndodhur gjatë mbrëmjes së 14 shtatorit, teksa ai ishte duke shkuar në shtëpi pasi kishte pirë kafe në lokalin e fshatit. Dyshohet se Kapllani kishte njohje dhe me të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani.
Vrasja e trefishtë në Bradashesh
Në datën 29.12.2018 në fshatin Bradashesh të Elbasanit mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit Erdal Duranay, Endrit Alibej dhe Arben Dylgjeri. Atentati i bujshëm ndodhi rreth orës 20:30 të datës 29 dhjetor të vitit 2018 ndaj makinës “Land Rover” ku udhëtonin Alibej, Dylgjeri dhe Durunay u derdhën një numër i madh plumbash duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tyre.
Pas zbardhjes së këtyre ngjarjeve, SPAK ka firmosur 30 urdhërarreste, ku mes tyre janë emra të njohur të botës së krimit, efektivë të policisë dhe ish-zyrtarë të drejtësisë. Mes emrave të përfshirë në listën e SPAK është edhe ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu dhe zv.drejtori i burgut, Bradashesh, Martin Musaj i cili pasi ka rënë në pranga është shkarkuar nga detyra e zv.drejtorit të burgut.