Nga Bujar Qesja
Në verë sheshi im i punës, mbushet plot me durrsakë të “huaj”. Fjala e huaj e futur në thonjëza, tregon se shumë prej durrsakëve tanë, prej vitesh jetojnë në tokë të tjetrit. Por ajo që më gëzon, është se dashurinë për tokën e tyre dhe njerëzit e kësaj toke, jo vetëm nuk është shuar por ndezur dukshëm. Thuajse nuk shkon “huq” asnjë ditë, teksa mësymjet drejt “çerdhes” time nuk ndalen.
I pres me shumë mall dhe emra qytetesh të huaja, na janë bërë aq të zakonshme saqë duket sikur kemi të bëjmë me qytete dhe fshatra të vendit tonë. Sapo përcollëm çiftin aq të përmallshëm Gëzim dhe Sonila Lika dhe vjen nga Amerika një tjetër mik i yni. Është Cac Sykja. Dhe ky Caci sa herë që më takon, nxjerr mallin për motrën e tij, për zyshen time të klasës së parë, gruan e të madhit Dhimitraq Goga Eleonora Syko. U nda nga jeta, por jo nga kujtimi i nxënësve të saj.
Cac Syko, emri i gjatë i të cilit është Anastas, është i njohur në Durrës. Së pari nga fisi i famshëm Syko, së dyti si inxhinjer i zoti dhe së treti si një durrsak i thekur, ku loti i përmallshëm ia zbukuron fytyrën.
Caci jeton në Njujork, një kryeqendër e qyterimit amerikan. Ka ardhur disa herë në Durrës. Të mos habisë kërkënd, axhenda e shumë durrsakëve si Caci është fare e thjeshtë: udhëtojmë me mijra kilometra, teksa në vijë ajrore kalojnë oqeanin gjigand me emrin Atlantik, vetëm të puthin tokën e tyre, të atij Durrësi që s’ka gjasa t’i shkitet nga kujtesa, të qafohen me miqtë dhe shokët durrsakë, të ecin mbi asfaltin e atij qyteti ku i bëri koka bam. Dhe kur vijnë të takojnë nuk të shkiten nga gjoksi, pasi ta kanë njomur me lotët e nxehtë të fytyrave të malluara nga largësia.
Cac Syko kur më pa, u mek disi. Rrugëtim i gjatë, prezenca prej shumë vitesh me amerikanë me kapele sherifash, e kishin hutuar për t’u orjentuar më pas drejt mjedisit të njohur të tyre.
-Nuk mund të rrija pa ardhur këtu! Pak ditë jam dhe planin e kam bërë që në Amerikë. E di si është puna Bujar, veç mallit që na ka kapur si ngërç dhe mezi e shuajmë, kemi edhe pak “interesin” tonë. Kur jemi këtu tek ti, e ndjejmë më shumë të gjallit tonë. Ne këtu na njohin dhe duam t’u tregojmë që jemi gjallë, pra që jetojmë.
-Domethenë Cac vëllai, dëshiron të bëjmë një foto së bashku!
-Natyrisht që po. T’u thuash durrsakëve, që Cac Syko jeton dhe është për bukuri si kokrra e mollës. T’i thuash se ndonëse kam lënë pas të 85 vitet, nuk do të heq dorë nga “përqafimi” i tokës së ngrohtë dhe të dashur të Durrësit. T’u thuash edhe nëse mbush 100 vite jetë dhe nëse do të mundem, do të fluturojë sërish dhe po sërish do të bëjmë një foto së bashku. Gjithnjë për të ditur se Cac Syko është gjallë.
Qeshëm me të madhe. Pasi konsumojmë kafenë e mikpritjes, ai ekspres dhe unë turke, pimë edhe nga një gotë ujë të ftohtë “Qafshtame”, freskohemi me kujtimet dhe muhabetin tonë. Kujtuam zysh Norën, pa diskutim punën kolosale që kryen Igli Goga me ekonominë e tij, por edhe me akademinë e basketbollit “Dhimitraq Goga”. Madje kujtuam edhe ORMN-në e re dhe të vjetër, kur inxhinjer Cac Syko kaloi vitet e arta të profesionit të tij.
Cac Syko prej të hënës së 20 qershorit 2022, e ka parë Durrësin e tij nga lartësia e fluturimit drejt Amerikës. Është një lartësi, që ai do të dëshironte ta provonte pambarimisht. Durrësi i tij dhe i imi nuk ndërrohet, me çfarëdo lloj çmimi. Ajo mbetet toka jonë e bekuar, ku u lindëm dhe u rritëm dhe ku do të na mbajë përjetësisht.
I dhashë fjalën, se do të shkruaja për të dhe do t’ia zbatoja plotësisht porosinë:
Po Cac Syko është gjallë!
Durrës: 22 qershor 2022