Cardi B ndau me fansat detaje prekëse nga periudha e errët që kaloi para ndarjes përfundimtare nga reperi Offset në korrik 2024. Reperja “hapi zemrën”, duke thënë me zë mendimet, që për shumë kohë i kishte fshehur në “skutat më të errëta”.

“Po humbisja mendjen. Ishte si të isha në prag të çmendurisë. Nuk mund të haja, kisha dhimbje koke çdo ditë dhe ndjehesha totalisht e rraskapitur mendërisht. I jepja një shans pas tjetrit, pa pushim. Nëse do të isha akoma aty, mendoj se do të përfundoja në burg, sepse do ta kisha vrarë,” rrëfeu ajo me sinqeritet.

Por, sipas saj, arsyeja e ndarjes nuk ishte vetëm tradhtia e Offset.

“Njerëzit mendojnë se u largova vetëm për shkak të pabesisë së tij, por e vërteta ishte shumë më e thellë. Gënjeshtrat e vazhdueshme më shkatërruan nga brenda,” shtoi ajo.

Reperja përshkroi edhe përballjen me depresionin që e shoqëroi në atë periudhë:

“Zgjohesha çdo mëngjes me mendime depresive. Edhe menaxherët e mi më këshillonin të shkoja në terapist.”

Cardi B shton se e kishte shumë të vështirë të pranonte ndarjen, por në fund pranoi faktin se kur diçka nuk shkon, thjesht nuk shkon.

“Terapia më ndihmoi dhe e provova edhe një herë, por në fund e kuptova se kur diçka mbaron, mbaron,” tha Cardi B, duke shtuar se tani ndihet shumë më mirë emocionalisht: “Jam e lumtur dhe ndihem sikur po mësoj jetën nga e para.”

Sot, Cardi B është në një lidhje me yllin e NFL-së, Stefon Diggs. Sipas saj, marrëdhënia e tyre u ndërtua mbi baza të forta miqësie dhe mirëkuptimi.