Aleksandër Vuçiç do të shkojë në Bruksel javën e ardhshme me një dosje kundër Albin Kurtit. Këtë e bëri të ditur vetë presidenti i Serbisë gjatë një fjalimi drejtuar kombit, duke përsëritur pretendimet dhe akuzat e zakonshme ndaj kryeministrit të Kosovës se ka sulmuar serbët në veri.
Vuçiç përmendi rëndësinë e dialogut, por drejtoi gishtin nga Kurti me deklaratën tashmë të vjetëruar se nuk dëshiron zgjidhje të situatës, por konflikt dhe dhunë. “Po mbushet kupa”, nënvizoi presidenti, i cili shtoi se ka bindur serbët të marrin pjesë në dialogun për zgjedhjet në veri të Kosovës, ndërsa njoftoi se institucionet atje nuk do t’i lëshojnë asnjëherë.
“Një ditë pasi Stoltenberg tha se priste konsultime për çfarëdo aksioni të policisë së Prishtinës, ata hynë në fabrikën Lola në Zubin Potok. Ata donin të tregonin se fuqia e tyre nuk ka kufi. Ata vazhduan të arrestonin serbët”, u shpreh presidenti serb Vuçiç. Vuçiç vazhdoi me pretendimet e tij duke thënë se ushqimet dhe ilaçet në Kosovë po mbarojnë për shkak të mbylljes së kufirit për produktet serbe.
Ai bëri me dije se do t’i bëjë apel komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Presidenti serb këmbënguli në synimet e tij për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.