Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se udhëheqësi i ri i Iranit, Mojtaba Khamenei, është plagosur dhe mund të ketë pësuar deformime, gjatë një vizite në Pentagon. Ai shtoi se liderët iranianë po “fshehen si minjtë”.
Të enjten, më 12 mars, Khamenei dërgoi një mesazh të shkruar, i lexuar nga televizioni shtetëror iranian, pa u shfaqur vetë në publik. Në këtë deklaratë ai premtoi hakmarrje për gjakun iranian që është derdhur, duke theksuar se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur dhe se sulmet ndaj bazave amerikane do të vazhdojnë.
Khamenei gjithashtu paralajmëroi se qeveria e tij do të kërkojë dëmshpërblime për dëmet e shkaktuara në vendin e tij, por shtoi se Irani është i gatshëm për bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Megjithatë, ai la të kuptohet se Teherani mund të ketë surpriza në mënyrat e vazhdimit të sulmeve ndaj objektivave që i konsideron të dobëta.
Në mesazhin e tij, Khamenei bëri thirrje që vendet e rajonit të mbyllin bazat e tyre ushtarake amerikane dhe nënvizoi se pretendimet e SHBA-ve për të vendosur siguri dhe paqe janë “thjesht një gënjeshtër”. Ai theksoi gjithashtu se hakmarrja për gjakun e martirëve iranianë është një prioritet kombëtar, duke përfshirë rastet e sulmeve ndaj shkollave dhe civilëve.
Udhëheqësi i ri i Iranit i dërgoi mesazhe edhe grupeve si Houthi dhe Hezbollah, duke thënë se bashkëpunimi i tyre do të shkurtojë rrugën drejt “çlirimit nga regjimi sionist”.
Ai theksoi gjithashtu se lufta do të vazhdojë derisa të arrihen qëllimet e Iranit, dhe se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit do të vazhdojë si mjet presioni.
Khamenei paralajmëroi gjithashtu se qeveria e tij do të kërkojë dëmshpërblime nga armiku, dhe në rast refuzimi, do të konfiskojë ose shkatërrojë pasuritë që e konsideron të nevojshme.





