2 tetor 2015 – Kur pa që ishte tepër me vonesë për të arritur avionin e linjës Torino-Romë, një pasagjer mendoi ta ndalonte fare. Telefonoi policinë duke dhënë alarm fals për bombë.
“Në avion është një bombë”, ishte telefonata që alarmoi policinë italiane nga personi që ishte munduar të fliste në gjuhën arabe.
Të gjithë u vunë menjëherë në lëvizje dhe pasagjerët e avionit u evakuuan. Por pas kontrolleve të imtësishme, policia konfirmoi se alarmi ishte i rremë, madje zbuluan edhe personin që kreu telefonatën. Sapo mbërriti në aeroport, ai u ndalua. Identiteti i tij nuk është bërë i ditur por mediat italiane shkruajnë vetëm që është 46 vjeç.
Avioni u nis rreth 2 orë e gjysmë me vonesë, por sigurisht pa personin alarmues. Përveçse humbi udhëtimin, ai tashmë do të përballet edhe me drejtësinë.
/S.L. portali DurresLajm/