Zbulohet emri i viktimës i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e së enjtes në Itali nga fqinji i tij. Mediat italiane raportonë se ai është shqiptari Gëzim Dodoli, 59 vjeç; ndërsa autori i ngjarjes është Sandro Mugnai, 53 vjeç.
Gëzim Dodoli u qëllua për vdekje me pushkë nga Sandro Mugnai pasi shqiptari tentoi t’i shkatërronte shtëpinë me ekskavator. Ngjarja e rëndë ndodhi në San Poli, në Arezzo, një zonë e qetë ku të gjithë njihen me njëri-tjetrin.
Famulltari i zonës, Don Natale Gabrielli tregon për mediat italiane se dy familjet dikur kishin hyrje-dalje. “Kam shkuar disa herë të ha tek të dyja familjet. Fëmijët, sot të rritur, shërbenin në meshë me mua dhe rrinin në famulli. Më pas familja Dodoli u transferua në Milano, por prej disa kohësh, Gëzimi ishte kthyer i vetëm. Se çfarë ndodhi nuk e di, por di që ndoshta Sandro donte të mbronte familjen e tij. Çatia po binte për shkak të goditjeve të ekskavatorit, do të kishin vdekur të gjithë të shtypur”, thotë ai.
53-vjeçari Sandro Mugnai u arrestua nga autoritetet dhe aktualisht ndodhet në burgun e Arezzo-s në pritje për t’u marrë në pyetje. Hetuesit po ashtu mësohet se po përpiqen të rindërtojnë orët e fundit të viktimës, për të kuptuar se çfarë e çoi 59-vjeçarin shqiptar të ndërmerrte aktin që i kushtoi atij jetën.





