2 nëntor 2015 – Një i ri shqiptar ka tentuar t’i vërë flakën një lokali bastesh, por e ka pësuar vetë, pasi nga shpërthimi humbi jetën, ndërsa një tjetër u plagos rëndë.
Ngjarja u shënua rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në sheshin Calvi në Oneglia të Italisë. Mediat italiane shkruajnë se 19-vjeçari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë kanë tentuar t’i vinin flakën duke përdorur benzinë. Por diçka nuk shkoi mirë, dhe kanaçja me benzinë i shpërtheu të riut shqiptar duke e lënë të vdekur, si dhe plagosi bashkëpunëtorin tjetër. Ndërsa autori i tretë, po shqiptar, ka shpëtuar paq.
Personi që u plagos u dërgua në spital dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa shqiptari tjetër po merret në pyetje nga hetuesit.
Ende nuk dihen arsyet që i çuan këta tre persona të kryenin këtë sulm.
/S.L. portali DurresLajm/