Emigracioni, i cili ka vijuar me ritme konstante në 30 vitet e fundit dhe me gjasë do të shtrihet me të njëjtin intensitet edhe në dekadën në vijim, po ndikon për keq cilësinë e popullatës në Shqipëri.

Të dhënat e INSTAT mbi emigracionin më 2020 tregojnë se, nga totali i emigrantëve rreth 1.7 milionë persona, shumica janë të rinj. Siç shihet nga grafiku, mosha 20 nga 40 vjeç e dominon popullatën në emigracion dhe përben 46% të totalit të emigrantëve.

Mbi grup moshën 45 vjeç popullata në emigrim vjen në rënie. Anketa të tjera mbi potencialet e emigracionit tregojnë tendencën e lartë te të rinjve në moshë te re për të emigruar në krahasim me moshat e tjera.

Një studim i ekspertëve Gëdeshi dhe King ka identifikuar se, 70% e 20 vjeçarëve dëshironin të largoheshin nga vendi në vitin 2018. Kjo dëshirë për të lënë vendin është më e lartë tek të rinjtë se të grup moshat e tjera. Shkaqet lidhen me një seri faktorësh sociale dhe ekonomike, thotë Gëdeshi.

Instituti Shqiptar i Statistikës ka raportuar se gjatë vitit të kaluar 25.5% e të rinjve nga mosha 15 -24 vjeç as nuk ishin në shkollë dhe as në punë. Studimi mbi të Rinjtë 2018-2019, i institutit Gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) tregon se potenciali për të emigruar në grupmoshën 15-29 vjeç është rreth 60%.

Dëshira e të rinjve për të ikur jashtë vendit është me e lartë se në popullsinë e përgjithshme, ku sipas barometrit të Ballkanit gjysma e të pyeturve në Shqipëri, pa dallim moshe, raportojnë se do të dëshironin të jetonin larg vendit vitin e kaluar.

Pas Censit të vitit 2011, migracioni vazhdon të luajë një rol shumë të rëndësishëm në dinamikën e popullsisë. Shqipëria vazhdon dhe do të vazhdojë të përjetojë flukse dalëse të popullsisë, ashtu sikurse projeksionet e popullsisë sugjerojnë.

Në vitin 2019, në popullsinë mesatare gjithsej të Shqipërisë, të rinjtë 0-14 vjeç zënë 17,0 %, popullsia në moshë pune 15-64 vjeç zë 68,5 % dhe popullsia mbi 65 vjeç përbën 14,4 % të popullsisë gjithsej.

Piramida e popullsisë, e cila jep një paraqitje të strukturës moshore dhe gjinore të popullsisë, pasqyron trendin e zhvillimeve që kanë ndodhur për grup moshat në fjalë.

Tendenca drejt procesit të plakjes së popullsisë në të ardhmen vihet re nga rritja e lehtë e përpjesës që zë popullsia 65 vjeç e lart, shoqëruar kjo me uljen e numrit të popullsisë në moshë të re (0-14 vjeç). Emigracioni shqiptar ka qenë emigracion i dominuar nga faktorë ekonomik.

Kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë arsyet ekonomike ato që shtyjnë pjesën më të madhe të shqiptarëve të largohen nga vendi. Sipas anketës së Forcës së Punës, 2019, arsyeja kryesore e largimit nga Shqipëria është “Mundësi punësimi” me 83,7 %. /MONITOR