Sektori i peshkimit në Durrës po kalon një nga periudhat më kritike përsa i përket situatës financiare. Çmimi i naftës me të cilin furnizohet flota, numri i lartë i peshkarexhave që nuk dalin në det dhe amortizohen çdo ditë si dhe mungesa e krahut të punës e ka kthyer këtë sektor në jo fitimprurës. Pjesa më e madhe e punonjësve të sektorit janë shtetas egjiptianë, ndërsa peshkatarët shqiptarë janë në kufinjtë e mbijetesës.
“Ka 30 vite në punë në peshkim dhe nuk ka shtëpi. Nuk kemi shtëpi, nuk kemi bukë. Ne si peshkatarë nuk kemi bukë me hëngër”,– thotë njëri nga peshkatarët e flotës.
Aktualisht 50% e 140 anijeve të flotës së peshkimit janë jo aktive prej një kohe të gjatë, ndërkohë që dhe zgjidhja alternative që u dha nga punësimi i shtetasve të huaj rezulton jo efikase.
“Përqindja më e madhe e peshkatarëve sot janë egjiptianë dhe këta janë të gjithë të punësuar komform rregullave dhe legjislacionit në fuqi, me kontrata pune. Por një pjesë e madhe e tyre sot po largohen, sepse në rast se mjeti nuk punon, nuk ka sesi pronari të nxjerrë të ardhurat për t’i mbajtur me rrogë punonjësit”,– thotë kreu i sindikatës së peshkimit, Klodian Kapiti.
Megjithëse çmimi i peshkut dhe nënprodukteve të detit është rritur ndjeshëm vitet e fundit, pronarët e anijeve të peshkimit e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë shpenzimet. Për këtë arsye, ata apelojnë që ministria e linjës të rikthejë skemën e subvencionimit të çmimit të naftës.
“I kërkojmë shtetit që të bëjë një ndërhyrje të dytë në çmimin e naftës, siç e ka bërë disa vite më përpara. Përveç çmimit që merrej me çmim burse, çdo litër subvencionohej me 30 lekë dhe ajo ishte një periudhë mjaft e mbarë dhe u jepte mundësi anijeve të punonin dhe ekuipazhit të merrte rrogat”,- deklaron Kapiti.
Për shkak të mungesës së shërbimeve të mirëmbajtjes, një pjesë e anijeve të peshkimit rrezikojnë mbytjen në kalatë, siç edhe ka ndodhur në disa raste vitet e fundit.
M.B.