Moti i keq i dy ditëve të fundit “shërbeu” për të depozituar në shëtitoren “Taulantia” në Durrës grumbuj me leshterikë, të cilët ju mbivendosën atyre që tashmë ndodheshin aty.
Prej verës së kaluar, shëtitorja më e dashur dhe e vetmja e durrsakëve i është nënshtruar rikonstruksionit për të tretën herë. Kantieri i hapur, sot, ishte i braktisur nga punëtorët, për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Pavarësisht se shëtitorja nuk ka marrë ende formën përfundimtare depozitimi i leshterikëve përgjatë gjithë gjatësisë së saj, dëshmon se hartuesit e projektit nuk kanë menduar aspak për një zgjidhje për ngritjen e një priteje në det që do të eleminonte mbërritjen e leshterikëve në breg.


Kur bën një krahasim mes fotove të projektit dhe atyre të shkrepura ditën e sotme, shihen qartë problematikat e investimit. Shkallaret që zbresin në det, sot ishin mbuluar në pjesën më të madhe të tyre nga leshterikët. Në rastin më të mirë, do të jetë deti që do të marrë sërish mbrapsht ato që ka depozituar në breg, por situata e sotme në shëtitore tregon se sa herë do të kemi kushte të këqia atmoferike, shëtitorja rrezikon të mbushet nga gurët, mbetjet plastike apo leshterikët që sjell deti.



Nëse deri në përfundim të projektit nuk do të realizohet asnjë punim shtesë për të parandaluar situata si kjo e sotmja, investimi i qeverisë shqiptare rrezikon të mbulohet nga leshterikët disa herë gjatë vitit!!!
Punimet e deritanishme kanë lënë të pakënaqur shumë qytetarë të Durrësit, të cilët ankohen për zvogëlimin e sipërfaqeve të gjelbëruara, ndërkohë që pritshmëritë ishin të mëdha. Ndërsa durrsakët prisnin që ish-Vollga e dikurshme do të rimerrte pak nga gjelbërimi i dikurshëm, edhe palmat ekzistuese përgjatë shëtitores “Taulantia” kanë nisur të thahen.


Deri në nëntor të këtij viti pritet të përfundojë investimi i qeverisë shqiptare, që po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me një vlerë prej 2,8 milionë euro.
M.B.





