Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka njoftuar një konferencë për mediat në orën 16:00, nga ambientet e kryesisë së Kuvendit. Dalja e Tahirit për mediat vjen pas arrestimit të Moisi Habilajt në Itali, i cili sipas opozitës është kushëriri i ish-ministrit të Brendshëm.

PD e akuzon gjithashtu Tahirin se është i lidhur me trafikun e drogës të organizuar Habilajt, vëllait të të cilit, po sipas opozitës, ai i ka vënë në dispozicion edhe "Audin" e tij.

Një ditë më parë, policia italiane ndërmori një aksion masiv në Catania të Italisë, duke shkatërruar një grup kriminal të trafikut të drogës në përbërje të të cilit ishin tre shqiptarë dhe katër italianë.

Mediat italiane zbardhën sot përgjimet e bandës, sipas së cilave lakohet edhe emri i Tahirit. Sipas tyre, Moisi Habilaj ka thënë që "30 mijë euro duhet t’ia dërgonte Saimirit".