NGA THANAS MUSTAQI
29 korrik 2015 – Për kronologji, kandidatja për kryebashkiake e Durrësit Grida Duma, është personi i parë që përuroi sulmet kundër “mbetëreshës së rokenroll-it”, 76-vjeçares Tina Tërner (Turner), udhërrëfyese e brezit të ri dhe për Lindjen në përmbysjen e komunizmit. Përfaqësuesja e opozitës tha: “[Durrësi] është qytet i trashëgimisë arkeologjike, por në fakt bust ka të Tina Tërnerit”.
Pastaj i teket ish-zëvendësministrit të Mbrojtjes, koluministit, Dritan Hila të merret në dy raste me Tinën: “Nuk kam arritur te kuptoj se pse Vangjushi shpenzon para publike per statujat e John Lenon dhe Tina Turner që nuk i kanë kaluar as nga sipër dhe as anash Durrësit” si dhe “Titulli i parë [Fisnikëria] duhej t’i jepej [Shaban Muratit] nga Bashkia e Durrësit, por Vangjush Dako është i zënë duke u marrë me Tina Tërnerin dhe harron personalitetet tona”.
I treti është dom Gjergj Meta, famullitar në konkatedralen katolike “Shën Luçia” të Durrësit, publicist: “Të ma shpjegojë ndonjë estet, arkitekt, skulptor apo urbanist se cila është lidhja në këtë shesh të vogël të Durrësit ndërmjet një rrokstareje si Tina Turner dhe të tjerët aty përreth dhe dom Nikoll Kaçorrit që duket sikur po i ruan në sfond se mos ikin”.
Nuk mund të thuash se të tre të cituarit janë njerëz dosido, përkundrazi, figura të spikatura publike. Pikërisht, për këtë arsye të habit arsyetimi i tyre dashakeqës, që të kujton propagandën e dikurshme komuniste kundër “artit të shëmtuar borgjezo-revizionist”.
Është vendi të thuhen dy fjalë. Mendoj se Duma i lëshoi “kumbullat” kundër Tërnerit dhe skulpturave të këngëtarëve të huaj përballë portit të Durrësit, thjesht, për fushatë elektorale, për të denigruar rivalin Vangjush Dako. Nuk përjashtohet që këtu hyn dhe xhelozia femërore ndaj këngëtares amerikane. Por, gjithsesi, nuk i falet staturës së saj akademike dhe politike. E t’u flasësh durrsakëve kundër këngëtares “borgjeze”, ke një kosto nga pas. Humbet. Madje, më thellë se paraardhësit e saj.
Nuk dua të spekuloj me arsyet e sulmit të Dritan Hilës kundër Tinës dhe skulpturave të tjera të këngëtarëve të huaj. Por ia vlen të sqarohet se, vërtet, gazetari dhe diplomati Shaban Murati, për të cilin autori i këtyre radhëve ka respekt, ka lindur në Durrës. Por ai veprimtarinë e tij e ka në Tiranë si gazetar i sektorit të jashtëm dhe pastaj sekretar kolegjiumi i “Zërit të popullit” të kohës së PPSH-së. Pas viteve 1990 ka dhënë kontribut të shquar në diplomaci dhe publicistikë. Murati i meriton të gjitha ato që u thanë në ceremoninë e marrjes së titullit “Fisnikëria e Tiranës” nga shoqata “Tirana”. A mund t’ia jepte këtë titull edhe shoqata “Durrësi”? Mundet. Po t’i jepte bashkia e Durrësit ndonjë titull? Mundet. Por dikush duhej ta propozonte. Në Durrës për kontribut në diplomaci, që meritojnë nderim, janë edhe Llazar Ziu, Remzi Tivari, Bashkim Pitarka, Besnik Keja etj. Për kontribute në gazetarinë kombëtare e meritojnë të nderohen nga bashkia dhe shoqata “Durrësi” edhe Sotiraq Gjordeni, Shaban Hidri, Sofokli Afezolli, Haxhi Shima, Palush Tati etj. etj. Nuk po flas për artistë, shkrimtarë, sportistë, inxhinierë, mjekë, arkitektë, novatorë… Janë mbi 200 veta që mund “të zënë radhë” për tituj nga Bashkia dhe shoqata “Durrësi”. Mendoj se dhe vetë Shaban Muratit duhet t’i ketë ardhur zor nga kundërvënia e Dritan Hilës me Tina Tërnerin!
Kleriku katolik dom Gjergj Meta është për t’u admiruar për diturinë e tij dhe problemet e shumta sociale që shtron në media. Por në rastin e skulpturave në kundërvënien Nikollë Kaçori / Tina Turner ka një qëndrim disi puritan, komunist. Ç’punë prish miksazhi patriotë shqiptarë me artistë apo personalitete të huaja? Vërehet njëfarë përbuzjeje ndaj rokstarëve. Mbetet t’i kujtohet klerikut të nderuar (që bën pak politikë) se ekziston edhe christian rock-u. Në kishat amerikane, qysh në vitet 1960, për të tërhequr rininë, është futur muzika moderne dhe kërcimet. Në kisha ekzekutohet rok-n-roll, hard-rock, spirituals etj. Vetë Selia e Shenjtë në vitin 2010 ka nxjerrë The Vatican’s Top 10 Best Rock Albums of All Time (1. Revolver by the Beatles 2. If I Could Only Remember My Name by David Crosby 3. The Dark Side of the Moon by Pink Floyd 4. Rumours by Fleetwood Mac 5. The Nightfly by Donald Fagen 6. Thriller by Michael Jackson 7. Graceland by Paul Simon 8. Achtung Baby by U2 9. (What's the Story) Morning Glory by Oasis 10. Supernatural by Carlos Santana).
Të bëhesh më katolik se Papa!
Shënim: Mendimet e shprehura në këtë artikull nuk pajtohen me vijën editoriale të portalit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/