Banorët e lagjes nr.15 në Durrës kanë protestuar ditën e sotme për kanalin e hapur që përshkruan këtë zonë.

Duke e quajtur skandaloze gjendjen në të cilën ndodhen, ata i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë që të marrin parasysh shqetësimin e tyre.

“Po na merrni shpirtin. Këtu nuk rrihet, është skandal, skandali më i madh. Ju lutem, qeverisë edhe Edi Ramës, se bashki nuk ka këtu, ju lutemi mendohuni për këtë komunitet se edhe ne njerëz jemi.”

Banorët kërkojnë një zgjidhje të shpejtë për mbylljen e kanalit pasi siç shprehen ata, me ardhjen e verës shëndeti i tyre është më i rrezikuar nga sëmundjet që mund të zhvillohen për shkak të papastërtisë.

“Mushkonjat bëjnë punën e vet, malarja fillon e zhvillohet”, thotë banori.

Në mbështetje të qytetarëve ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike, dega Durrës, Ferdinand Xhaferaj, i cili u shpreh se rilindja në këto 8 vite vjen vetëm për fushatë dhe jo për të zgjidhur probleme.

“Qytetarët kanë kërkesën më normale të mundshme, të rregullohet kanali. Ky është Durrësi i 2021-isht. Kanë mbi 20 vite që drejtojnë bashkinë, kanë mbi 8 vite që drejtojnë qeverinë, ja ku është. Investime për Velierën, investime për rrugën e plazhit nga dy dhe tre herë, bëj dhe ribëj bulevardin kryesor nga dy e tre herë, bëj dhe ribëj shëtitoren e Vollgës nga dy e tre herë, shife si e ke gjendjen këtu.”, tha Xhaferaj.