Të shumtë janë qytetarët e Durrësit që shkruajnë të shqetësuar në redaksinë e DurrësLajm, pasi rrezikojnë t’i nxjerrin nga shtëpia pronarët e shtëpive ku janë sistemuar me qira. Të mbetur pa shtëpi nga tërmeti i 26 nëntorit, ata janë sistemuar përkohësisht në banesa me qira, në pritje të riparimit të pallateve të dëmtuara e të shpallura të pabanueshme.

Deri tani kanë përfituar 4 këste bonusi qiraje, ndërsa kemi hyrë në muajin e 7-të pas tërmetit.

“Nuk kemi me se të paguajmë qiranë. Të ushqehemi, të paguajmë faturat apo të paguajmë qiranë. Nuk e përballojmë dot pagesën e qirasë me rrogën që marrim. Tek pallati ku banonim deri më 26 nëntor, nuk kthehemi dot. Ai është bërë copë-copë. Por tani që nuk po marrim bonusin rrezikojmë të dalim në rrugë të madhe”,- shkruan një qytetar, banor i lagjes nr.18, një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti.

“Pronari i shtëpisë ku banojmë na ka dhënë ultimatum. Ose t’i japim paratë, ose të dalim nga shtëpia. Pritëm në maj se mos kalonte, por sa herë shkojmë në bankë na thonë s’ka kaluar gjë. Tani po kalon edhe 10 ditëshi i qershorit dhe nuk di më çfarë të bëj. Nuk kam me se ta paguaj qiranë. Pandemia më la pa punë, vetëm burri punon dhe nuk mund t’ia dalim sepse kemi dhe dy fëmijë të vegjël”,- shkruan një banore e zonës së plazhit.

Në takimin e para disa ditëve që banorët e kompleksit “Jedas” zhvilluan me kryebashkiaken e Durrësit Emirjana Sako, atyre ju komunikua se kësti i radhës i bonusit nuk kishte kaluar sepse po bëheshin verifikime.

Çfarë verifikimesh duhet të bëhen kur dhjetëra pallate janë të pabanueshme që nga nata e frikshme e 26 nëntorit dhe kur qytetarët presin me ankth kalimin e parave, kësaj pyetje duhet t’i përgjigjet bashkia. Megjithëse situata është bërë mjaft kritike për mijëra familje (rreth 4000 trajtohen me bonus qiraje) nga institucioni i qeverisjes lokale nuk ka asnjë përgjigje konkrete për datën se kur do të kalojë kësti i radhës i bonusit.