Banorët e qytetit të Caserta-s në Itali kanë kaluar momente paniku, kur një burrë vrau gruan e tij dhe më pas nga dy ballkonet e shtëpisë qëlloi 15 plumba në rrugë, duke lënë të plagosur 5 persona.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 16.00 të së hënës. 48-vjeçari italian Davide Mango, pasi ka vrarë gruan është mbyllur në shtëpi dhe ka nisur të qëlloi në rrugë me një pushkë dhe pistoletë.

Siç raportojnë mediet italiane, Mango ka tentuar të vrasë edhe vajzën 15-vjeçare, por ajo ka mundur të shpëtojë.

Duket se çmenduria e burrit ka nisur pasi bashkëshortja i ka komunikuar se donte të ndahej prej tij.  

Kalimtarët që rastisën në rrugë në momentin e të shtënave deklarojnë se kanë shpëtuar për mrekulli.

Fatmirësisht asnjë prej të plagosurve nuk është në gjendje të rëndë.

Mësohet se burri nuk është dorëzuar akoma dhe negociatat me policinë italiane vijojnë.

Vetëm pas dy orësh, një ambulancë ka mundur të tërheqë trupin e bashkëshortes së tij, tashmë të vdekur.