Dy biznesmenë janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi u kapën duke ndërtuar pa leje në lokalet e tyre.

Në pranga kanë rënë shtetasit, A. O. 49 vjeç dhe G. L., 49 vjeç. Në njoftimin zyrtar të Policisë, thuhet se shtetasi A. O., është konstatuar nga uniformave blu, duke ndërtuar pa leje në lokalin e tij në rrugën “Ymer Kurti”.

Ndërsa gjithashtu, edhe shtetasi G. L., është konstatuar duke kryer punime ndërtimi pa lejen përkatëse në lokalin në pronësi të tij, në fshatin Bastar Murriz.

Njoftimi i Policisë: 

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje në të gjithë Qarkun e Tiranës, janë goditur 2 raste të ndërtimeve pa leje, në vende të ndryshme, dhe janë arrestuar dy shtetas konkretisht:

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, i shtetasit A. O., 49 vjeç, pasi në rrugën “Ymer Kurti” në biznesin(lokal) në pronësi të tij, u konstatua duke ndërtuar të papajisur me leje ndërtimi nga autoritetet kompentente.

Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, i shtetasit G. L., 49 vjeç, pasi në fshatin Bastar Murriz, në lokalin e tij, u konstatua duke kryer punime ndërtimi pa lejen përkatëse.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.