Dy të vdekur dhe tre të plagosur janë pasojat e një aksidenti tragjik të ndodhur pasditen e së shtunës në Pesaro të Italisë, ku u përfshinë 2 makina.

Viktimat janë Sultan Ramadani, një 27-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, që jetonte në Vado dhe Martina Mazza, një 32-vjeçare italiane. Ndërsa të plagosur mbetën motra e italianes, si dhe dy miq të viktimave, mes të cilëve njëri shqiptar e tjetri italian.

Aksidenti ndodhi teksa makina “BMW”-ja ku udhëtonte shqiptari dhe maqedonasi, të dy 27 vjeç, po tentonin t’i iknin karabinierëve që iu ishin vënë nga pas, me dyshimin se ishin autorë të disa grabitjeve.

Gjatë kohës që largoheshin me shpejtësi përfunduan në korsinë e kundërt, duke i prerë rrugën makinës ku udhëtonte 32-vjeçarja italiane me motrën e saj dhe një mik. Nga përplasja ballore makina e tyre “Fiat 500” u përmbys.

Si vajza ashtu dhe maqedonasi që ndodhej në mjetin tjetër gjetën vdekjen në vendin e ngjarjes.

Shqiptari mësohet se i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa motra dhe miku i Martina Mazza, ndodhen nën kujdesin e mjekëve.