DURRËS, 29 janar 2015 –  Sofistikimi i trafikut të drogës nga Shqipëria drejt tregjeve evropiane arriti kulmin në dy vitet e fundit të qeverisë Berisha dhe vazhdoi më së paku në të njëjtin nivel gjatë qeverisë rilindase Rama.

  Incidenti me narkotrafikantin Riforato në Divjakë, incidenti te Rana e hedhme jo larg Shëngjinit( incident tashmë i harruar) ishin vetëm majat e ajsbergut të të ashtuquajturës “Albanian Drugs Airways”.

Tashmë narkotrafikantët tanë jo vetëm, që vazhdojnë ta përdorin Shqipërinë si një aeroplanmbajtëse droge në Jon e Adriatik ( duke ndërtuar edhe pista (airstrips) për avionët ultra të lehtë të drogës), por edhe po eksportojmë pilotë për të tilla fluturime. Rasti më i fundit ishte ai i pilotit Sokol Feka, major, që nga viti 2009 dhe me 18 vjet karrierë ushtarake. Sokoli ka lindur në Berat dhe jeton në Tiranë i martuar me fëmijë (djali Aleks dhe Joni i ndjeri). Piloti Feka së bashku me ko-pilotin në mbasditen (ora 18) e 27 janarit 2015 u rrëzua në Spanjë në zonën malore midis Gaucin Y El Colmenar dhe Cortes della Frontera jo larg qytetit të Malagës.

 Aksidenti ishte vdekjeprurës për Sokolin dhe Ko-pilotin e tij. Në helikopterin prodhim gjerman BO 105 sipas Rojes Civile (policisë spanjolle) kishte 800-1 000 kg hashash të ardhur nga Maroku, të ambalazhuar në të paktën 35-40 pako të mëdha.Helikopteri ishte lyer komplet me bojë të zezë për të mos u dalluar nga zbulimi viziv. Theksojmë se piloti trafikant ishte ndër më të përgatiturit e Forcave Ajrore Shqiptare. Sokoli ishte trajnuar si pilot ndër të tjera në Bazën e Frosinones në Itali  (Il 72-esimo Stormo) si edhe në Angli. Ai kishte përvojë fluturimi me helikopterë italianë tip Agusta-Bell, AB 206, helikopterë gjermanë tip BO 105 si edhe me Cougar francez. Madje kishte edhe trajnimin e nevojshëm për fluturime natën, si edhe për përdorimin e instrumenteve të tilla të navigimit si FLIR apo horizontin artificial. Rrëzimin e helikopterrit dhe identifikimin e pilotit, nga pasaporta biometrike shqiptare konfiromohen nga COS (Centro Operativo de Servicios) si edhe nga Roja Civile (policia spanjolle).

Piloti Feka ka marrë leje normale nga eprorët e tij për periudhën 12-31 jananr 2015. Ai nuk ka marrë leje të posacme për të dalë jashtë shtetit. Nuk dihet, nëse ka lënë gjurmë në sistemin TIMS Card, kur ka dalë nga shqipëria, apo mos ndoshta është larguar nga Shqipëria ilegalsiht nëpërmjet kufirit jeshil apo si klandestin me anë të kufirit blu (anije, gomone etj). Sido që të jetë puna mund të themi me plot gojën se SHIU ( Agjencia Intelegjente e Mbrojtjes) thjesht nuk ka kryer detyrën. Kur nuk kontrollojnë dot pilotët a ka mundësi dikasteri Kodheli, SHIU të përballojë sukseshëm spiunët rusë, iranianë, terroristë të Kalifatit Islamikë, serbë apo edhe grekë?! Lavdi zotit, që ndodhi ky incident, që të na bëhet e qartë se ish oficeri ndërlidhës aktualisht “top 007”i SHIU-t ka dështuar në misionin e tij kryesor.

Lavdi zotit, që nuk kemi më oficerë marine të specializuar për nëndetëse në moshë dhe kondicion fizik për lundrim se do t’i “eksportonim” edhe ata sic eksportuam pilotin dhe trafikantin e ndjerë Sokol Feka.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/