Kujdes zotërinj, sipas Bashkimit Europian dhe fuqive financiare amerikane që e mbështesin, të jesh pronar i një shtëpie po bëhet një “krim” aq i rëndë sa meriton të jetë i ndëshkuar me taksa të rënda dhe të papërballueshme nga familjet normale. Ju do të thoni: “por në Shqipëri nuk është akoma kështu”.

Në fakt projekti i taksave i publikuar nga Bashkia e Durrësit dhjetorin e kaluar konfirmon se, këtu tek ne, pronat e paluajtshme nuk i nënshtrohen tatimeve të tilla që vënë në vështirësi atë, që me sakrifica të mëdha, ka arritur të ndërtojë apo të blejë një shtëpi.

Ja teksti i Bashkisë: “Taksës mbi pasurinë e paluajtshme, d.m.th. taksa mbi ndërtesat dhe taksa mbi tokën bujqësore, i nënshtrohen të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarë të pasurive të mësipërme në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre pasurive.

Baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit në metër katror e ndërtesës ose e pjesës së saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Kategoritë minimale të bazës së taksës dhe nivelet treguese të taksës për çdo kategori minimale të bazës për taksën mbi ndërtesën është si vijon: Ndërtesa banimi ndërtuar para 1993: 12 Lekë/m2/vit; Ndërtesa banimi ndërtuar pas 1993:  25 Lekë/m2/vit.

Në mungesë të të dhënave si rezultat i mosdeklarimit sipas afateve të përcaktuara si më lart dhe/ose në mungesë të dokumentacionit të pronësisë për subjektet taksapaguese të kategorisë “Ndërtesa Banimi”, llogaritja e detyrimit bëhet mbi bazë fikse: për ndërtesat e banimit të ndërtuara para vitit 1993 sipërfaqja e taksueshme është 100 m2 ; për ndërtesat e banimit të ndërtuara mbas vitit 1993 sipërfaqja e taksueshme është 160 m2”.

Pra, një familje durrsake arrin të paguajë maksimumi 20-25 euro në vit për shtëpinë e vet, shifër e kapshme për të gjithë xhepat. Megjithatë, në këto ditë, 500.000 shqiptarë që jetojnë në Itali janë shumë të shqetësuar për taksat e reja mbi pasuritë e paluajtshme të vendosura nga qeveria teknike e vënë në Romë nga Brukseli. I ashtuquajturi “Dekreti shpëto-Italinë” ka futur taksën “IMU” mbi shtëpinë kryesore, që zëvendëson dhe rrit taksën e vjetër “ICI”, e eleminuar nga qeveria e Silvio Berlusconi në 2008.

Dhe kështu, kush ka shkuar në Itali për një jetë më të mirë dhe ia ka dalë të blejë shtëpinë, duhet të përgatitet edhe për ndonjë risi të hidhur, sepse mbi shtëpinë që ka blerë, nga ky vit do t’i duhet të paguajë një taksë shumë të lartë. Për banesën kryesore – që për pjesën dërrmuese të pronarëve është edhe e vetmja pasuri e paluajtshme – është 0,4% e “rendita catastale” (e ardhura vjetore që përllogaritet mbi vlerën kadastrale të banesës), që shënohet në aktin e shit-blerjes, e rivlerësuar me 5% dhe e shumëzuar me 160. Bashkive, për më tepër, u jepet mundësia të ngrenë atë 0,4% deri në 0,6%.

Barra do të jetë më e rëndë në Romë, ku do të paguhen mesatarisht 411,47 euro me maksimumin që arrin në 511,47 euro, ndërsa në Milano mesatarja do të jetë 376,77 euro dhe në Bolonjë 359,41 euro.

Për më tepër, mes modifikimeve të manovrës ekonomike, në veçanti njëri nuk do t’u pëlqejë aspak imigrantëve që kanë një shtëpi në atdhe, të blerë ndoshta me paratë e fituara në mërgim. Tani, edhe mbi atë shtëpi duhet të paguajnë një taksë të re. Quhet “tatimi mbi vlerën e pasurive të paluajtshme që gjenden jashtë Italisë”, do të godasë të gjithë pronarët rezidentë në Itali, përfshirë imigrantët, pavarësisht nga përdorimi që i bëhet atyre pronave, dhe do të jetë sa 0,76% e vlerës së saj. Si do të llogaritet?

Duke iu referuar kostos në aktin e blerjes apo nëse nuk ekziston një i tillë, “vlerës së tregut në vendin ku gjendet prona e patundshme”. Si do të marrë vesh Agjencia e mbledhjes së Taksave, kush ka një shtëpi jashtë Italisë? Duke kontrolluar sërish deklaratat e të ardhurave, ku këto prona duhet të shënoheshin edhe më parë, “pavarësisht nëse sjellin apo jo fitime”.

Me pak fjalë, është “gjueti shtrigash” drejt kujtdo që zotëron katër mure dhe një çati mbi kokë. Por përse të dënohet në këtë mënyrë kush ka investuar në tullë? Dhe deri kur do të jemi rehat në Shqipëri, përpara se Brukseli të imponojë edhe këtu për të rrjepur të gjallë pronarët e shtëpive?

Në Bashkimin Europian shtëpia është një “luks” për t'u super-taksuar!

Futja e taksës së re italiane mbi shtëpinë është justifikuar nga qeveria teknike si edhe një tjetër “masë për të afruar sistemin tatimor italian me atë të vendeve të tjera europiane”. Në fakt, Europa perëndimore është e ngarkuar nga taksa të rënda mbi pasuritë e paluajtshme dhe prandaj qeveritarët-shushunja italianë nënvizojnë se, megjithë taksën IMU, në Itali vjelja e tatimit mbi banesat mbetet ndër më të ulëtit në Europë.

Në Francë, dy taksat mbi pasuritë e paluajtshme janë “Taxe Foncière” dhe “Taxe d'habitation”. E para prek pronarin e pasurive të paluajtshme dhe të tokave jo të ndërtueshme, llogaritet mbi vlerën e kadastrës dhe varet sipas qyteteve, lagjeve, cilësisë së pronës, faktit nëse është shtëpia e parë apo e dytë, etj.

“Taxe d'habitation” rezulton përkundrazi në kurriz të kujtdo që banon në një apartament, qoftë edhe me qira. Për më tepër ekzistojnë tatime variabël nga 5% në 45% mbi të ardhurat që përfitohen nga qiraja e një pasurie të paluajtshme. Taksat mbi shtëpinë mblidhen nga Shteti, që më pas i kalon bashkive “Taxe d'habitation”.

Shuma e dy taksave për një apartament prej 40 metra katrorë në qendër të Parisit është rreth 1400 euro në vit, por kryeqyteti është vendi më ekonomik, sepse në pjesën tjetër të Francës kapërcen 2000 eurot.

Në Britaninë e Madhe taksa mbi zotërimin e pasurive të paluajtshme quhet “Council tax”, llogaritet mbi bazën e vlerës që kishte prona në 1991, varion midis 0,5% dhe 1,3% të vlerës së kadastrës të pronës dhe, për shembull, është 1200-3000 euro në vit për një apartament në Londër.

 

Në Shqipëri, pronat e paluajtshme nuk i nënshtrohen taksave shumë të rënda, por në këto ditë, 500.000 shqiptarë që jetojnë në Itali janë të shqetësuar për “tatimin mbi vlerën e pasurive të paluajtshme që gjenden jashtë Italisë”, që do të godasë pronarët rezidentë në Itali, përfshirë imigrantët, dhe do të jetë sa 0,76% e vlerës së saj. Është “gjueti shtrigash” drejt kujtdo që zotëron katër mure dhe një çati mbi kokë, sepse i gjithë planeti duhet të jetojë si në SHBA, ku një përqindje e madhe e popullsisë jeton në rulotë, në kamper, në “trailer parks” të bëra nga barake prej llamarine të zmontueshme…

“Council tax” është krijuar dhe mblidhet nga autoritetet vendore për të financuar shërbimet e ofruara nga bashkia dhe mund të paguhet në dhjetë këste mujore. Është parashikuar një skonto prej 25% për kush jeton vetëm si edhe përjashtime për apartamente të zëna ekskluzivisht nga studentë.

Në Gjermani ekziston një taksë mbi pasuritë e paluajtshme e quajtur “Grundsteuer B”, e llogaritur në bazë të së ardhurës kadastrore (rreth 60% e vlerës së tregut të pronës); kjo e ardhur pastaj shumëzohet me indekse të ndryshëm sipas qyteteve (rreth 0,35%). “Grundsteuer B” rëndon për shuma midis 1200 dhe 2310 euro për një apartament me vlerë 100.000 euro.

Për më tepër është parashikuar një tatim mbi të ardhurat nga qiraja i njëjtë me atë të një biznesi të vogël, që varion nga 25% në 42% plus i ashtuquajturi “Soli” prej 5,5%, sepse dhënia me qira e apartamenteve është konsideruar një aktivitet privat.

Në Spanjë tatimi mbi pasuritë e paluajtshme quhet “IBI” (Impuesto sobre bienes inmuebles) dhe varion nga 0,4% në 1,1% të vlerës së kadastrës së pronës.

Përpara masave speciale antikrizë, në Greqi taksa bashkiake mbi pasuritë e paluajtshme varionte nga 0,025% në 0,035% të vlerës së njehsuar të pronës. Për më tepër kishte një taksë vjetore mbi pasurinë e barazvlefshme me 0,3-0,8% e vlerës së saj, vetëm për pronarët e pasurive të paluajtshme vlera e të cilave kalonte 243.000 euro.

Por shtatorin e kaluar, nën presionin e Bashkimit Europian dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria greke ka bërë të ditur masat shtrënguese për rreth 2,5 miliard euro dhe ministri i atëhershëm i Financave, Evangelos Venizelos, ka shpjeguar se “e vetmja zgjidhje efikase është një tatim i jashtëzakonshëm mbi pasuritë e paluajtshme për t’u mbledhur nëpërmjet faturave të elektrikut”.

Taksa e re është veçanërisht jopopullore sepse 70% e qytetarëve grekë, të pasur e të varfër, janë pronarë të një banese. Fillimisht u deklarua se taksa e jashtëzakonshme ishte 4 euro për metër katror të pronës, por në të vërtetë luhatet nga 50 cent në 16 euro për metër katror, në bazë të përdorimit të pasurisë së paluajtshme dhe kritereve të ndryshme sociale – për shembull, kush ka të ardhura më të ulëta se 3000 euro në vit paguan minimumin.

Për të detyruar qytetarët të derdhnin këtë taksë të urryer, qeveria greke ka kërcënuar se do t’i presë korrentin mospaguesve. Megjithatë, sipas shtypit helenik 25% e taksapaguesve nuk ka paguar, ndërsa sindikatat deklarojnë se mospaguesit janë 50%: me mentalitet tipik ballkanik, një grek në dy refuzon të paguajë taksat mbi vatrën e tij të shenjtë shtëpiake.

Në përgjithësi, mund të konkludohet se taksat mbi shtëpinë janë shumë të rrepta në Austri, Danimarkë, Gjermani, por sidomos në Francë, Britaninë e Madhe dhe Zvicër, ndërsa në Itali, Portugali, Irlandë dhe Greqi situata është – apo ishte – më e butë. Në fakt, për arsye kulturore, në këto vende shtëpia ka qenë gjithmonë më “e shenjtë” se kudo tjetër, duke përfaqësuar mbështjellën e familjes, institucionin më të lartë social në rajonet mesdhetare dhe në Irlandën fshatare dhe katolike.

Drejt një bote pa pronarë shtëpish?

Shqetësohem për Shqipërinë sepse historia na mëson se eksperiencat shqiptare janë shumë të ngjashme, herët ose vonë, me ato italiane. Dhe në Itali, vendi ku proverba kombëtare ishte: “duhet investuar në tulla, sepse shtëpitë janë e vetmja pasuri që merr vlerë gjithmonë dhe nuk e humb kurrë atë”, po zbatohet një fushatë e hapur qeveritare jo vetëm kundër blerjes, por deri edhe kundër zotërimit të një shtëpie.

Vitin e kaluar bankat “italiane” papritur kanë ndërprerë dhënien e kredive për blerjen e shtëpisë së parë, duke kërkuar kushte gjithmonë e më të rrepta dhe duke rritur normat e interesit nga 3,5% në 7-8%. Mesazhi është i qartë: “nuk duam t’iu ndihmojmë më për të blerë shtëpi”, siç ka konfirmuar pak ditë më parë ministria italiane e Punës, Elsa Fornero, e cila ka denoncuar faktin se në Itali “familjet preferojnë të blejnë një shtëpi në vend që të investojnë në arsimimin e fëmijëve”.

Sipas ministres, “mjaft më me obsesionin për tullën: shtëpia është më pak e rëndësishme sesa diploma. Përpara kapitalit në muraturë, prindërit duhet të mendojnë për kapitalin njerëzor, të bëjnë të studiojnë fëmijët e tyre dhe t’i përgatisin me ndryshimet në botën e sotme” (d.m.th. të lejojnë që sistemi i sotëm universitar t’i lajë trurin atyre dhe t’i bëjë pasivë përballë globalizimit?).

Fatkeqësisht, në Europë dhe sidomos në Amerikë ekziston tanimë një brez të diplomuarish të papunë të cilët nuk kanë as më të voglën shpresë për të marrë një kredi. Por sipas zëdhënësve të BE dhe të SHBA, duhet që të gjithë të mësohen të jetojnë të pasigurt, si nomadë, gjithmonë me valixhe në dorë: “djema, merrni copën e bukur të letrës tuaj, bëhuni një “kapital njerëzor” dhe pastaj shkoni të flini poshtë urave, të gëzuar, të arsimuar dhe të papunë”.

Qeveritarët globalë i trajtojnë popujt më të lidhur pas shtëpisë si të ishin popuj “të gabuar” dhe prandaj ndërhyjnë në vendimet e familjeve, në shijet, në opinionet, në zakonet e njerëzve. I gjithë planeti duhet të përshtatet për të jetuar “alla amerikançe”, ku një përqindje e madhe e popullsisë banon në rulotë, në kamper, në “trailer parks” të bëra nga barake prej llamarine të zmontueshme: në SHBA, shtëpia dinjitoze dhe në muraturë nuk është një e drejtë dhe as një vlerë parësore, prandaj pjesa tjetër e botës duhet të ndryshojë mentalitetin e vet dhe të jetojë në të njëjtën mënyrë.

Kam gjetur një dokument shumë interesant të botuar nga OJQ shqiptare Co-Plan, partnere e organizatës së fuqishme ndërkombëtare OXFAM, programi i të cilës konsiston në “rishpërndarjen botërore të të mirave”. Sipas kësaj filozofie, zotërimi i një shtëpie është shenjë “pasurie”, sepse gjysma e planetit nuk ka asgjë dhe jeton në kasolle prej kashte.

Pra, Co-Plan mbështet se do të duhet të rriten taksat mbi banesat, “pasi taksa e pasurisë së paluajtshme është një instrument progresist në gjenerimin e të ardhurave lokale dhe zbatimin e politikave urbane”. Madje, OJQ denoncon se në Shqipëri “taksat mbi pasurinë e banuar janë politikisht të ndjeshme dhe kjo është arsyeja kryesore pse qeveritë vendore hezitojnë në adoptimin e vlerave më të larta për taksën e pasurisë sipas hapësirave që krijon ligji.

Në disa raste, për të shmangur pakënaqësitë prej taksapaguesve, qeveritë vendore tentojnë madje uljen e nivelit të taksës për të rritur numrin e pagesave, apo edhe tolerojnë në grumbullimin e taksës”. Sipas Co-Plan, “vihet re tendenca për të shfrytëzuar në maksimum potencialin e siguruar nga kategoria biznes, krahasimisht me atë familjarë, si rezultat i frikës së përballjes politike me një kategori shumë të gjerë siç është ajo e familjarëve”.

Prandaj, duket se shtëpia po bëhet një “e keqe”, një “mëkat për t'u ndëshkuar me taksa”, një gjë që mesdhetarët tradicionalistë “nuk e meritojnë”. Por shtëpia kryesore, ajo ku jetohet, është një simbol i privacy dhe i lirisë që kur ka zënë fill bota. Nuk është etike të taksohet arkitrau i pronës private, flamuri i një jete, djersa dhe mundi i kujt vë një pikë fikse mbi tokën e vet.

Ata katër mure janë kufiri që ndan Individin nga Shteti. Janë hapësira private ku bota perëndimore ka ndërtuar idenë e saj të lirisë. My house is my castle. Shtëpia ime është kështjella ime. Dhe qeveritë do të bënin mirë të ndalonin një metër larg nga dyert tona.