Pas investimeve që kemi bërë në rikonstruksionin e rrugëve kryesore, do të nisim punën për të gjitha rrugët dytësore së bashku me ndriçimin dhe gjelbërimin e tyre.

Kështu është shprehur kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit, në takimin e zhvilluar me banorë të Durrësit të Ri. Sako tha se janë 52 rrugë dytësore që janë evidentuar për t’u rikonstruktuar, ndërsa 8 rrugë të tjera që janë duke përfunduar, do të jenë me ndriçim dhe gjelbërim.

Kryetarja e bashkisë ka sqaruar qytetarët e Durrësit të Ri edhe në lidhje me përhapjen e lajmeve të rreme nga kampi opozitar për shembjen e shtëpive në këtë zonë. Sako tha se: “shpërndarja e trakteve nga kundërshtari se gjoja bashkia do shembë shtëpitë tuaja në këtë zonë është dashakeqe dhe po përhapet panik nga një person që nuk ka asnjë plan apo projekt për Durrësin e Ri. Bashkia e Durrësit nuk do të shembë asnjë shtëpi në këtë zonë, por do punojë vetëm për zhvillimin e zonës dhe do të jetë mbështetëse e banorëve pranë qeverisë për të përfunduar plotësisht procesin e legalizimit për banorët që nuk i kanë legalizuar akoma banesat e tyre”.

Në këtë takim ka folur edhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste Adrian Çela, i cili ka theksuar se Durrësi i Ri ka ndryshuar shumë në vitet e fundit, tashmë është bërë një zonë me rrugë, gjelbërim, ndriçim dhe semaforë, prandaj për këtë arsye të mbështesim projektin që bashkia Durrës dhe Emiriana Sako ka për zhvillimin e mëtejshëm të Durrësit të Ri.

Në zonën e Durrësit të Ri do të realizohet rehabilitimi i hapësirave publike dhe përshtatja e tyre për fëmijët dhe moshën e tretë, ndërtimi i një kopshti dhe qendër shëndetësore të re si dhe rehabilitimi i kanaleve të hapura.