Presidenti ukrainas Volodymyyr Zelensky ka thënë se Presidenti rus Vladimir Putin e urren atë dhe se kjo ndjenjë është e ndërsjellë.

Zelensky i bëri komentet menjëherë pas përfundimit të një takimi me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë të premten.

“Putini më urren”, u tha ai gazetarëve në Uashington. Kur një gazetar e pyeti Zelenskyn: “A e urren atë?”, ai u përgjigj se do të ishte e çuditshme nëse do të kishte një mendim të ndryshëm për ata që “përpiqen të na vrasin të gjithëve”.

“Kam të njëjtin qëndrim ndaj këtij njeriu”, tha Zelensky.

Udhëheqësi ukrainas mbështeti thirrjet e Trump për një armëpushim të menjëhershëm përgjatë vijave aktuale të frontit. Ai nuk pranoi të zbulonte nëse SHBA-të do ta furnizonin Kievin me raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi, por la të kuptohej se nuk ka pasur ndonjë përparim në këtë çështje. “Duhet të punojmë më shumë për këtë,” tha ai.

Putin ka thënë se është i hapur për t’u takuar me Zelenskyn, por vetëm në fazat e fundit të negociatave, pasi një traktat paqeje të jetë gati për t’u nënshkruar.