Nga Dr. Bledar Kurti

“Mos u beto për kokën tënde, sepse nuk ke fuqi të zbardhësh ose të nxish qoftë edhe një fije floku; Por fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo; gjithçka më tepër vjen nga i ligu.”

Këto fjalë të Krishtit urdhërojnë që njeriu kurrë nuk duhet të betohet as “për Zotin” as “për kokën time” as “për kokën e prindërve” as “për kokën e fëmijës.” Por, ndaj çdo pyetjeje duhet t’i përgjigjet me të vërtetën më të thjeshtë të mundshme: po kur është për po dhe jo kur është për jo. E me këtë të vërtetë kaq të thjeshtëzuar në komunikimin me njerëzit, eprorët, vartësit, të afërmit apo të panjohurit, njeriu duhet të vazhdojë deri sa të mbyllë sytë përgjithmonë. 𝑆𝑒𝑚𝑝𝑒𝑟 𝑣𝑒𝑟𝑖𝑡𝑎𝑠.

Ata që u binden këtyre fjalëve kanë kuptuar se e vështirë është që kjo qasje të mirëpritet prej të tjerëve, pasi pjesa më e madhe e vdekatarëve e ushqen gjuhën dhe mendjen me dredhëri, thashethem, gënjeshtër, manipulim dhe shtrembërim. Fatkeqësisht shumica e njerëzve shikojnë, dëgjojnë e kuptojnë jo nga e vërteta që u shfaqet por nga pasqyra, altoparlantët dhe kodeksi i përbrendshëm.

Ligji i natyrës dikton që sa më e fortë drita e jashtme aq më e gjatë hija e njeriut. E këtu gjendet sekreti: a zgjedh njeriu të fokusojë vështrimin për nga drita apo për nga hija e vet. Kjo zgjedhje njihet me fjalën integritet.

Por ka edhe rregulla të tjera të pazhbëshme të natyrës.

Njeriu është krijuar për të thënë të vërtetën. Në fakt kur thua të vërtetën është e shëndetshme: trupi dhe mendja rigjenerohen, fytyra shndrit, bëbëzat e syrit zmadhohen dhe njeriu mbushet me energji. Ndërkohë gënjeshtra është e panatyrshme për trupin, mendjen dhe emocionet ndaj edhe i venit që të trija. Madje gënjeshtra shoqërohet me një sërë shenjash tejet të dukshme të gjuhës trupore, si: skuqje, krruarje, dridhje zëri, zvogëlim të bebëzave të syve, vështirësi në frymëmarrje, tharje buze, mekje, gjeste kontradiktore, buzëqeshje e shtirur, reagim i vonuar, përshpejtim të rrahjeve të zemrës, zhvendosje e vështrimit sa majtas e djathtas, shterim energjie, kërrusje e posturës së trupit, etj.

Njeriu që jeton me të vërtetën është gjithmonë energjik ndërsa ai apo ajo që jeton me gënjeshtrën është gjithmonë i lodhur e për rrjedhojë jo-produktiv. E kësisoj jeton për veten e në interes të vetes dhe jo të tjerëve apo komunitetit.

Për shkak të këtyre shenjave të manifestueshme qartazi fizikisht, të vërtetët dhe gënjeshtarët dallohen menjëherë që në pamje të parë.

Ajo që duhet theksuar pa reshtur është se, pavarësisht integritetit apo zgjedhjeve njerëzore, vlera dhe parimi hyjnor e universal ka qenë, është e do të mbetet që: 𝐕𝐄𝐓𝐄̈𝐌 𝐄 𝐕𝐄̈𝐑𝐓𝐄𝐓𝐀 𝐓𝐄̈ 𝐂̧𝐋𝐈𝐑𝐎𝐍.