Banorët që jetojnë në disa pjesë të Meksikës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kandasë në datën 8 prill do të kenë mundësi të shikojnë eklipsin e plotë diellor. Hëna do të vendoset në mes të Diellit dhe Tokës, duke bllokuar një pjesë ose të gjithë dritën e tij dhe duke shkaktuar errësirën. Ekspertët paralajmërojnë se është e rëndësishme të mos e shikosh diellin pa syze mbrojtëse atë ditë, pasi rrezatimi ultra vjollcë mund të shkatërrojë indet e buta të syrit.
Eklipsi i plotë diellor po pritet me padurim nga shkencëtarët. Hëna do të jetë shumë afër Tokës, duke shkaktuar një periudhë të gjatë errësire dhe dielli duket se do të jetë më aktiv me shpërthimet rreth plazmës.
Eklipsi mund të shikohet në një zonë të gjerë, që nga Meksika, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.
“Një eklips total diellor ndodh zakonisht rreth dy herë në vit diku në botë. Është pasojë e faktit që hëna po rrotullohet rreth planetit tonë, Tokës. Pra, zakonisht dy herë në vit Hëna pozicionohet drejtpërdrejt në mes të Diellit dhe Tokës, duke bllokuar një pjesë ose të gjithë dritën e tij. Dhe më 8 prill, ajo që disa njerëz shumë me fat do të jenë në gjendje të shohin nëpër pjesë të botës është një eklips diellor total”, shpjegon Jake Foster, astronom në Observatorin Mbretëror “Greenwich” në Londër.
Eklipsin e plotë diellor mund ta shikojnë dhjetëra milionë njerëz në të gjithë Amerikën e Veriut. Hera e fundit që ndodhi një eklips i plotë diellor dhe që u pa në të gjithë SHBA-në ishte në vitin 2017, që zgjati 2 minuta e gjysmë.
“Pra, për fat të keq, jo të gjithë në botë mund të shohin një eklips diellor total. Kur ndodh, ju duhet të jeni në vende shumë specifike. Në fakt, nëse doni të shihni një eklips diellor total, duhet të jeni të vendosur në atë që njihet si “rruga e eklipsit të plotë”. Në thelb, ky është vendi ku hija e hënës po kalon mbi sipërfaqen e Tokës. Pra, njerëzit brenda asaj zone do të jenë ata që jetonë në disa pjesë të Meksikë, SHBA dhe në Kanada. Njerëz të tjerë jashtë këtyre rajoneve mund të shohin një eklips të pjesshëm diellor”, thotë Foster.
Dita do të kthehet në natë pasi hëna pozicionohet në mënyrë perfekte midis Tokës dhe Diellit, duke bllokuar përkohësisht rrezet e diellit.
Eklipsi do të fillojë në Paqësor, do të kalojë në Meksikë dhe më pas përmes Teksasit do të prekë 15 shtete amerikane për të vijuar më pas në Kanada dhe Atlantikun e Veriut. Në total pritet të zgjasë deri në 4 minuta e 28 sekonda në disa zona.
Shumica e pjesës tjetër të kontinentit do të shohin një eklips të pjesshëm. Zoti Foster shpjegon se është e rëndësishme të mos e shikosh diellin pa syze mbrojtëse.
“Të shikosh diellin me sy të lirë është tepër e rrezikshme. Rrezatimi ultra-vjollcë i diellit është i aftë të shkatërrojë indet e buta të syrit. Mund të shkaktojnë dëme të rënda dhe ndonjëherë të përhershme në shikimin tuaj. Pra, nëse ju jeni duke e parë drejtpërdrejt eklipsin diellor do t’ju duhen syze që përdoren për këto raste. Dhe nëse nuk i keni këto syze nuk duhet të shikoni diellin”, thotë ai.
Eklipsi tjetër i plotë diellor pritet të ndodh në vitin 2026 dhe do të prekë skajet veriore në Greonlandës, disa pjesë të Islandës dhe Spanjës. Amerika e Veriut nuk do të përjetojë përsëri një eklips të plotë diellor deri në vitin 2033.