Banorët e një pallati në lagjen nr. 5 në qytetin e Durrësit kërkojnë ndërhyrjen e bashkisë dhe policisë, pasi pallati i tyre i dëmtuar nga tërmeti, rrezikon të shembet. Disa prej banorëve janë grumbulluar sot para bashkisë dhe kërkuan largimin e banorëve që jetojnë akoma aty duke theksuar se edhe nga tërmeti i fundit disa ditë më parë, godina ka pësuar tjetër anim duke vënë në rrezik sidomos jetën e fëmijëve që luajnë atje.
“Në çdo tërmet ka pasur lëvizje, por me këtë të fundit rrezikon të kapë fëmijët që luajnë aty. Pallati është jashtë çdo standardi, e ka vërtetuar edhe Prokuroria, edhe ekspertët e ndërtimit.
Nuk kanë sjellë roje për të ruajtur pallatin. Sot kemi ardhur vetëm për fëmijët, janë 50-60 fëmijë që luajnë çdo ditë brenda, pallati është gati për të rënë poshtë, janë në rrezik”, shprehet një nga banorët.
Aktualisht sipas tyre, në pallat po banojnë 5-6 familje pasi s’kanë ku shkojnë, ndërsa ky objekt është i rrezikshëm edhe për fqinjët e kalimtarët.
Për pallatin nr. 8 në lagjen 5 te rruga “Stefan Dhima”, në bashki ka mbërritur ekspertiza e thelluar, sipas të cilës pallati duhet të rikonstrukstohet. Një nga banorët shprehet se nuk është marrë parasysh studimi gjeologjik dhe kryerja e analizave që u la si detyrë nga inxhinierët e huaj që erdhën dhe e panë pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Nuk kemi marrë një zgjidhje që të dimë zyrtarisht se çfarë do të bëhet me pallatin. Kemi vetëm informacionin që pallati është dëmtuar tej normave të lejuara dhe përbën rrezikshmëri. Kanë thënë që do të riparohet, por nuk kanë marrë parasysh porosinë kryesore që kanë lënë grupi i ekspertëve italianë disa ditë pas tërmetit, që duhet një studim gjeologjik i tokës për të dalë në përgjigje përfundimtare”, thotë një nga banorët.
Burime nga bashkia e Durrësit bëjnë të ditur se për pallatin në fjalë si dhe pallate të tjerë që kanë dëmtime të ngjashme, do të merret për bazë vetëm ekspertiza e thelluar e Institutit të Ndërtimit dhe asgjë tjetër.
S.L.





