DURRES, 22 prill 2013 – Është një ndër krenaritë e industrisë në Durrës para dhe pas çlirimit e megjithatë sot ajo ka nisur të shembet. Ndërmarrja e vjetër e Nish Cigares ka punësuar me mijëra punonjës dhe ka qenë e njohur në shumë vende të botës për cigaret dhe duhanin cilësor që ka prodhuar, por tashmë, duke qenë se edhe prodhimi i saj është ndërprerë prej vitesh, ka filluar shembja e ndërtesës masive.
Po kjo shembje ka shkaktuar edhe një problem për të cilën është ndërhyrë nga Muzeu Rajonal, si dhe Policia Ndërtimore për të mbrojtur një basoreliev i cili ka qenë konstruktuar në fasadën ballore të ndërmarrjes pioniere në qytetin e Durrësit, për grevat e organizuara kundër pushtimit fashist të vendit me 20 gusht 1940.
Basorelievi është një vepër artistike e artistëve durrsakë që i përket traditës së Realizmit Socialist dhe ka pasur përmasa të mëdha me gjatësi 7 metra dhe lartësi 1.5m. Në afërsi me të janë edhe pllakatet përkujtimore të dëshmorëve të shumtë që kanë dalë nga kolektivi luftarak i kësaj ndërmarrjeje. Një nga dëshmorët që ka dalë nga gjiri i kolektivit është është edhe Telat Noga, emër i cili iu dha Nish cigares, Stamlesit të vjetër, pas çlirimit të vendit.
Me fillimin e punimeve u bënë përpjekje që vepra artistike në formë pllakati e derdhur në beton të çmontohet dhe të ruhet si vepër me vlera artistike dhe historike për popullsinë e Durrësit. Pasi u bënë këto kërkesa u raë dakord që të bëhej çmontimi me kujdes i pllakatit nga fasada dhe të sistemohej pranë muzeut rajonal. Për këtë ka disa ditë që janë ndërprerë punimet dhe pritet që të bëhet edhe çmontimi i objektit artistiko-historik.
“Beteja për shpëtimin e basorelievit”
Menjëherë pas fillimit të punimeve mësohet nga burime të Policisë Ndërtimore të Durrësit se shumë qytetarë, të afërmit e të cilëve kanë persona të familjes që kanë punuar në këtë ndërmarrje historike për Durrësin, por dhe që janë të lidhur nëpërmjet punëtorëve të këtij kolektivi që kanë rënë dëshmorë në vitet e luftës, kanë shprehur shqetësimin për fatin e basorelievit në fasadë.
Pas kësaj mësohet se është ndërhyrë për të bërë të mundur ruajtjen e tij me çdo kusht. Së bashku me policinë ndërtimore ka ndërhyrë edhe Muzeu Rajonal i Durrësit. Për këtë është biseduar në lidhje telefonike me drejtorin e këtij muzeu, Edmond Agolli, i cili ka bërë me dije se pasi kanë marrë të dhëna mbi shembjen e ish-Nish Cigares “Telat Noga”, së bashku me shefen e Policisë Ndërtimore të Durrësit, Anila Myderizin, është ndërhyrë për të mos lejuar prishjen e basorelievit që ndodhet në fasadën ballore të saj dhe që është ngritur në përkujtim të 20 gushtit, kur qenë organizuar edhe protesta dhe greva nga punonjësit e saj.
Pas kësaj ndërhyrjeje është rënë dakord, tha Agolli, që basorelievi të hiqet nga firma që po bën prishjen e saj pa u dëmtuar. Ai tha se ne atje kemi shkuar si grup nga të dyja palët, muze-polici ndërtimore, dhe pasi u bëmë me dije se në rast prishjeje ata do të përgjigjeshin ligjërisht për dëmtimin e monumentit, është rënë dakord të mos prishet dhe të ruhet. Pas çmontimit, objekti do të ruhet në ndonjë ndërmarrrje në pronësi të bashkisë, por mirë do të ishte, thotë Agolli, që të rivendosej në të njëejtin vend pasi ajo është një ngjarje historike dhe kujtdo do t’i bënte nder që ta kishte në ballinën e ndërtesës.
Ndërtesa që lidhet me prodhimin e duhanit në Shqipëri
Prodhimi i Duhanit në qytetin e Durrësit ka pasur një traditë të hershme. Specialistët e këtij prodhimi thonë se për herë të parë duhani ka ardhur në Shqipëri nëpërmjet portit të Durrësit në shekullin XVII dhe se prodhimi i mirëfilltë industrial i tij ka filluar në shekullin e kaluar pikërisht në këtë qytet.
Në formë të industrializuar ky prodhim, sipas studjuesit të historikut të Durrësit, Xhod Bejës, ka nisur në vitin 1913 dhe është konsoliduar me ngritjen e shoqërisë aksionere STAMLES në vitin 1924 me kapital të përbashkët të aksionerëve nga qyteti i Durrësit dhe ai i Tiranës.
Për t’i shërbyer kësaj fabrike në vitin 1929 është ngritur edhe centrali elekrik prej 640 Kë/ore që i ka shërbyer furnizimit me energji elektrike edhe ndriçimit të qytetit të Durrësit. Pas çlirimit kjo industri u fuqizua dhe duke pasur cilësi mjaft konkurruese ka pasur kërkesë të madhe në tregjet lindore dhe perëndimore. Ajo u fuqizua me reparte të shumta si fermentimi dhe një rrjet magazinash, si dhe u punësuan në të mbi 1000 punonjës, pa përfshirë rrjetin e gjerë të transportit si dhe prodhuesve të bujqësisë në fshatra të ndryshme të vendit, si dhe punonjësit ndërmjetës të manipulimit të tij.
Ish-drejtori i saj në një periudhë 3-vjeçare Skënder Kapiti thotë se kjo industri mjaft e preferuar për tregjet ndërkombëtare për shkak të cilësisë së prodhimit mund të mbijetonte mjaft mirë në kushtet e ekonomisë së tregut, por për të ka munguar kujdesi i shtetit. Madje, edhe pasi kishte shkuar drejt zeros prodhimtaria e duhan cigareve kanë ardhur kërkesa për të nga firma prestigjioze në SHBA, Franca dhe Spanja. Kjo degë e rëndësishme e industrisë së lehtë dhe ushqimore tashmë është inekzistente.
Beja sjell edhe fakte interesante mbi këtë industri në Durrës. Ai shkruan edhe me detaje se si në punishtet e para bëhej përpunimi i duhanit. Atje, thekson ai, duhani lagështohej duke u sprucuar me ujë në mënyrë artizanale dhe se grirja e duhanit bëhej me thika të zakonshme, ndërsa përgatitja e cigareve ose “dredhja” siç quhet rëndom nga pirësit e duhanit bëhej me dorë. Kapaciteti prodhues ka qenë 1600 kv në vit kurse në vitin 1942 ky kapacitet ka arritur në 350 kv në ditë. Numri i punëtorëve ishte 110, ndërsa në repartin e shkrepëseve punonin edhe 50 të tjerë.
Duke iu referuar shifrave që sjell Beja, Shoqëria STAMLES u krijua në prilll 1924 me kapital fillestar 500 000 franga ari. Më 1938 ky kapital arriti në 1 milion e 500 mijë, ndërsa në vitin 1942 në 2 milion e 500 mijë. Aksionistët e parë kanë qenë familjet durrsake Beshiri, Spiru, Dovana, Shijaku, Leka, Papingji, Rrufa, Gjergo, Beja, Zaguridha, Shehu, Xhumrri, Koja, si dhe familjet tiranase Petrela, Fortuzi, Banka, Peza, Haxholli, Tafaj, Qosja etj.
Presidenti i parë i STAMLES-it ka qenë Jusuf Beshiri, drejtor teknik Petro Korçari, drejtor i këshillit të kontrollit Shefqet Beja, shef i repartit të shkrepseve, Mina Haxhinikolla, shef teknik Ismail Çela, specialistët e parë të harmanit ishin Kiço Koçi dhe Shefqet Metani.
Stamles, sjell në kujtimet e veta Beja, ishte një fabrikë e suksesshme. Paketat e cigareve “Diamant” dhe “Taltisert” thitheshin shumë si nga tregu vendas dhe tregu i huaj. Fitimet ishin të konsiderueshme, ndërsa punëtorët paguheshin mjaft mirë.
Çdo fundjavë u paguhej rroga në orën 12:00 në zarfe të mbyllur dhe në fundviti trajtoheshin me rrogë të 13-të. Një kuriozitet: “Stamles” u ka paguar rrogat punëtorëve edhe për periudhën nëntor 1943 – shkurt 1945, thekson Beja, periudhë në të cilën fabrika nuk punoi, për shkak të evakuimit të Durrësit nga gjermanët për arsye të operacionit të evakuimit të populsisë nga qyteti të titulluar “Shëtitje në Port”.
Në vitet 1946-1947 të gjitha fabrikat ekzistuese shqiptare të cigareve u shtetëzuan: shumica e tyre u mbyll, ndërsa ato më të mëdha (si Stamles) morën emër tjetër dhe u modernizuan. Gjatë regjimit komunist ka pasur 4 fabrika cigaresh: fabrika e Tiranës (ish- fabrika e cigareve “Flora” – mbyllur gjatë viteve 1960), fabrika e Durrësit, fabrika e Shkodrës dhe fabrika e Gjirokastrës.
Fabrikat e Tiranës dhe Gjirokastrës prodhonin cigare vetëm për tregun e brendshëm, ndërsa fabrikat e Shkodrës dhe Durrësit prodhonin për tregun e brendshëm dhe për eksport. Që nga viti 1957 dhe veçanërisht pas viteve 1960, Shqipëria filloi eksportimin e cigareve në të gjitha vendet e Evropës Lindore, kryesisht në Hungari, Poloni, Çekosllovaki dhe Republikën Demokratike Gjermane. Gjatë viteve 1980 shumica e cigareve të prodhuara në Shqipëri u eksportua, kjo edhe për faktin se ishte burim i mirë për valutë të fortë.
/Bruno Marku, gazeta "Dita"/





