Partizani ka shitur dy nga lojtarët më të rëndësishëm të organikës së tij. Arinaldo Rrapaj dhe Andi Hadroji do të transferohen në Ukrainë. 

Pavarësisht se në opinionin sportiv dyshja cilësohet si ndër më të mirat e kampionatit, Ilirjan Alliu ka një mendim ndryshe. 

Ish-futbollisti kombëtares, në emisionin “Max Sport” në “Euronews Albania”, tha se Hadroji dhe Rrapaj janë lojtarë të një niveli mesatar dhe se largimi i tyre nuk do të ndikojë ndjeshëm në kampionatin shqiptar. 

Ai gjithashtu kritikoi zgjedhjen e tyre për të vazhduar karrierën në Ukrainë.

“Sa vjeç është lojtari që u shit? 25 vjeç. Sa merr Partizani nga kjo shitje? 150 mijë euro. A e kuptoni se çfarë katastrofe jemi?! Shesim lojtarë për një hyrje, për një apartament. Kjo është katastrofë. Nuk e di që ky lojtar të ketë bërë çudira. Është nivel mesatar dhe mbi mesatar. Aq më keq, nuk jam dakord me këto zgjedhje që të shkosh të luash në Ukrainë. Nuk është një kampionat që do të bjerë në sy në Shqipëri. Aq më tepër kur vendin e ka të zënë, sepse atje luan mbrojtësi i Kombëtares së Ukrainës”, tha Alliu për Hadrojn.

“Në moshën 24-vjeçare, i ke mbaruar punët me kampionatin shqiptar. Nëse nuk shkon në një kampionat elitar jashtë, atëherë nuk do të rritesh më. I uroj sukses këtyre dy lojtarëve për karrierën e tyre, por nuk është se do t’i mungojë gjë kampionatit. Tani nuk bën diferencë as kush vjen e as kush ikën, sepse niveli nuk është aq i madh. Është lojtar punëtor, është lojtar që vrapon. Talent nuk kam parë unë,” deklaroi Ilirjan Alliu.