Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa në një deklaratë për mediet nga zona e Kepit të Rodonit reagoi në lidhje me ndryshimet e propozuara në ligjin për zonat e mbrojtura. Sipas saj, ndryshimet i hapin rrugën ndërtimit, veprimtarive ekonomike në këto zona.

“Shkatërrimi i zonave të mbrojtura është i sigurtë me projektligjin që kanë sjellë në Kuvend 12 deputetë socialist sepse heq çdo barrierë për të ndërtuar apo për të bërë veprimtari të ndryshme ekonomike fitimprurëse brenda këtyre zonave”, u shpreh Zhupa.

Duke iu referuar Kepit të Rodonit që sipas saj, përbën një nga pikat më të rëndësishme turistike, mjedisore, kulturore, historike të Shqipërisë, kjo zonë rrezikon shumë nëse ai ligj kalon.

“Deputetët socialist nuk janë konsultuar me asnjë grup interesi, me shoqërinë civile, nuk janë konsultuar as me qytetarët pasi ky është një ligj që prek drejtëpërdrejt interesat e qytetarëve sepse bëhet fjalë për zonat e mbrojtura në të gjithë Shqipërinë”, tha ajo.

Sipas Zhupës, ky projektligj shkon ndesh me standartet e Bashkimit Europian.

“Ne do të bëjmë gjithçka për të sensibilizuar opinionin publik edhe për ta kundërshtuar në të gjitha format ligjore dhe gjyqësore brenda dhe jashtë vendit këtë projektligj që bën një dëm të madh në zonat e mbrojtura të Shqipërisë dhe në mushkëritë e Shqipërisë”, përfundoi Zhupa.