Po shkonin nga Tirana për në Gramsh për ceremoni mortore, vdesin në aksident katër gra.
Një 68-vjeçare, pasi kishte marrë lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëshortit të saj, i cili prej disa ditësh gjendej në Tiranë për mjekim, bashkë me disa të afërme, u nis për në banesën e saj në Gramsh, për organizimin e ceremonisë mortore të burrit.

Foto: Viktima Jonida Kotorri e bashkëshorti i plagosur
Në afërsi të fshatit Papër të aksit rrugor Elbasan-Peqin, automjeti me të cilin ato udhëtonin u përfshi në një aksident. Përplasja e makinës “Seat” ishte fatale për 68- vjeçaren dhe tri të afërmet e saj, ndërsa shoferi u plagos rëndë.
Shkak për aksidentin e rëndë dyshohet se është bërë lagështia në rrugë, gjithashtu edhe shpejtësia e lartë. Drejtuesi i automjetit, Gëzim Kotorri, e ka pasur të pamundur të rimarrë kontrollin e makinës duke bërë disa rrotullime në rrugë dhe duke kaluar në pjesën e korsisë, ku automjetet lëviznin në drejtim të kundërt.
Pikërisht nga një makinë “Skoda” që po i vinte përballë ka ndodhur dhe përplasja më e fortë, ndërsa në aksident është përfshirë dhe një automjet tjetër tip “Ford”. Aksidenti mësohet se ka ndodhur rreth orës 15:20, ku nga përplasja e fortë, makina “Seat Ibiza” doli jashtë rrugës duke kaluar dhe barrierën mbrojtëse.
Menjëherë është tentuar që të aksidentuarve t’u jepet ndihma e parë nga kalimtarë të rastit, të cilët kanë ndaluar mjetet e tyre, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë mbërritur pesë autoambulanca nga Elbasani dhe Policia. Në pamundësi për të nxjerrë trupat e pajetë nga mjeti, për shkak të shtypjes së fortë të makinës në anën e pasagjerit, në ndihmë ka mbërritur edhe mjeti i zjarrfikëses ku efektivët janë angazhuar për nxjerrjen e trupave, raporton "Panorama".
Tri prej grave u deklaruan të vdekura në vendin e ngjarjes, ndërsa 30-vjeçarja Jonida Kotorri ndërroi jetë disa orë më pas në spital, për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë. Drejtuesi i makinës ka marrë gjithashtu plagë të rëndë dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore. Babai i një djali të mitur, sipas Policisë Rrugore, është shpëtuar nga rripi i sigurimit që mbante në momentin e përplasjes së fortë, që rezultoi fatale për katër pasagjeret në makinën e drejtuar prej tij.
Të plagosur kanë mbetur dhe dy drejtuesit e makinave “Ford” dhe “Skoda” që u përfshinë në aksidentin e rëndë të ndodhur në fshatin Papër. Mjekët bëjnë të ditur se ata kanë marrë dëmtime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Fatime Hoxha, njëra nga viktimat, me banim në Shtëpanjë, bashkë me të afërmet e saj po shkonte në shtëpi. Asaj i kishte vdekur bashkëshorti në spital dhe po shkonte të kryente ceremoninë mortore, por që fatkeqësisht ndërroi jetë vetëm pak orë pas burrit të saj.
Të katër viktimat janë pjesë e një familjeje me origjinë nga Cërriku, por që prej dita vitesh jetonin në Durrës. Mesditën e djeshme ishin nisur për të përgatitur ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të bashkëshortit të Fatime Hoxhës.
Kjo e fundit ishte kunatë me Fatushe Agollin. Kurse Jonida Kotorri dhe Fatushe Agolli ishin mbesë dhe teze. Në aksident humbi jetën dhe motra e 68-vjeçares, Lume Hoxha. Ceremonia do të organizohej në fshatin Shtëpanjë, që ndodhet mes Cërrikut dhe Gramshit.
VIKTIMAT
Jonida Kotorri 30 vjeç nga Tirana
Fatime Hoxha 68 vjeç nga Cërriku
Lume Hoxha 55 vjeç nga Cërriku
Fatushe Agolli 60 vjeç nga Gramshi





