Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar kreun e qeverisë Edi Rama se po plaçkit pronën publike me vlerë 3 miliard euro me projektin e portit të Durrësit.
Sipas tij, Shqipëria nuk ka regjistruar një plaçkitje të tillë të një prone publike, duke shtuar se Rama “kërkon që gjithë gjirin e portit ta shndërrojë për jahtin e tij, jahtin e Çuçit të familjes së tij, jahtet e familjarëve.”
Berisha: “Një plaçkitje një grabitje të tillë të një prone publike 3 miliardë euro. Asnjë qeveri nuk ka një kryeministër që i ka lejuar vetes të plaçkisë 1 milionë metër katror truall. T’i shkatërrosh vendit portin shekullor, do të thotë të gjobisësh vetëm me transport, qindra e miliona, në mos miliarda euro në vite. Vetëm me transport, i cili do bëhet nga Mali i Zi, portet e Greqisë, dhe pjesërisht nga Vlora. Edhe ajo jo, se ajo është pa port.
Të shkulësh portin shekullor, për të cilin është projekti, investimi dhe çdo gjë, dhe të gjobisësh qytetarët shqiptarë me të paktën 2 miliardë euro që kërkon ndërtimi i portit të ri në Porto Romano, sipas specialistëve, dhe që duhet të ndërtohet sipas pronarit të Dubai City në Durrës, duhet të ndërtohet në Porto Romano, sepse ai kërkon që gjithë gjirin e portit ta shndërrojë për jahtin e tij, jahtin e Çuçit të familjes së tij, jahtet e familjarëve.
Kjo është e faktuar, cilido i them të referohet se çfarë pësoi porti i Bejrutit.
E njëjta skemë. Një mori pallatesh dhe porti para për jahtet e pasunikëve të Bejrutit.”