Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur komenteve të ndjekësve në rrjetin social Facebook, ku mes tyre nuk munguan edhe kritikat për qeverisjen e tij.

Një komentues i shkruante: “Po boll se keni 12 vjet në pushtet dhe premtoni njëlloj si bufi.”

Reagimi i Ramës nuk vonoi. Ai tha se ndryshe nga opozita, ai nuk premton, por i qëndron fjalës.

“Jo, Vladimir, unë nuk kam 12 vjet që premtoj, po kam 11 vjet e 6 muaj që bëj ato që them dhe them ato që bëj. Se po të isha si bufi, edhe Shqipëria do ishte si e bufit, një vend që s’e merrte askush seriozisht, një vend i zhytur në borxhe dhe në kriminalitet, me mbi 100 e kusur vrasje në vit, me qytete të rrënuara nga harresa, me një turizëm që mbahej gjallë vetëm nga patriotizmi i shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni”, shkruan Rama.

Kryeministri theksoi se sot vendi ka ndryshuar dhe se, sipas tij, vetëm ata që nuk duan të shohin, nuk e pranojnë këtë ndryshim.

“Sot vetëm kush nuk do të shohë, nuk sheh. S’ka më të verbër se ai që i ka sytë, por refuzon të shikojë. Apo më shurdh se ai që i ka veshët, por nuk do të dëgjojë”, përfundoi Rama.