Nga Flutura Açka
Para dy ditësh hodha një shënim në faqen time mbi fyerjet që iu bënë disa këngëtareve të njohura prej kantautorit Gjergj Leka në një intervistë të tij të fundit. E cilësova se shënimi im nuk ka fuqi ta mbrojë moralin e këtyre zonjave, por të gjykojë një rrymë të tërë mllefi dhe denigrimi, që me vite lëshon këllirë mbi artistet, krijueset dhe autoret femra. Veçmas prej atyre burrave (të fushës së tyre artistike), të cilëve, këto gra u duken si gurë në thembra.
Unë e njoh shijen e fyerjes publike, ndaj edhe reagova. Një vit më parë, një kolegu im publicist, shkroi kundër meje (i diktuar nga politika dhe hatërmbetës nga ne të letrave) në mënyrën më të poshtër, më fyese të mundshme ndaj meje, madje me cilësime edhe më të rënda, duke u marrë me fis e farë, e duke më cilësuar antishqiptare dhe se nuk lëçisja shqip. Unë nuk di te kem ndonjë aftësi tjetër, veç të shkruarit mirë shqip, vetes.
Madje kolegu im nuk guxoi ta publikonte shkrimin as me emrin e tij, por me pseudonim. Prita që ndonjë kolegu apo kolegia ime, qoftë edhe ndonjë artist i çfarëdo fushe të reagonte. Por jo, sepse ne jemi një shoqëri hipokrite dhe sehirxhije, për të thënë më të paktën. Pasi ndonjëherë kam bindjen se jemi shoqëri me prirje hijenash, që mezi presin një viktimë për t’iu sulur, veçmas ato më të dobëtat. Në rastin tim, kullës ime të lidhje me lexuesin nuk ra asnjë tulle, sepse kisha thënë vetëm të vërteta historike në një shkrim timin, pa denigruar askënd.
Por lista e grave që e kanë pësuar nga këto lloj linçimesh publike, është e gjatë (ka mes tyre edhe shkrimtare), për etikë unë nuk po i përmend në këtë shkrim timin. Dhe në këtë rrymë që prej vitesh, gjithnjë e më shpesh, fyen dhe poshtëron artiste dhe krijuese femra, hyri mbase pa dashjen e tij edhe z. Leka. Them pa dashje, pasi ndjesa e tij e djeshme ma shpjegon se ai është distancuar nga fjalët e veta.
Ndjesa e tij është një akt i admirueshëm dhe duket respektuar. Sepse ndër shqiptarë nuk është e udhës që burrat të kërkojnë ndjesë, edhe kur janë fajtorë. Për këtë e çmoj aktin e Gjergj Lekës, dhe kërkoj publikisht ta çmojnë edhe të tjerët, edhe ata që nxituan t’i hedhin gurë, jashtë debatit publik të ngritur me ç’shkas intervistën e tij.
Por, t’i kthehem çështje sime: Ende pa e publikuar mirë shënimin tim modest në Facebook, disa gazeta, site dhe agjenci (përveç Gazetës Shqiptare, që e botoi me leje dhe korrektesë), e botuan pa lejen time, dhe ç’është më keqja, disa prej tyre me komente të tepruara, edhe fyese madje ndaj personit që i adresohej shqetësimi im, në ca të tjera madje duke vënë në gojë time cilësime që nuk i ka bërë në shkrimin tim, disa madje me tituj sensacionalë të bujshëm dhe denigrues. Edhe për mua vetë.
Pa përmendur një mesazhëri të tërë në rrjete sociale, një pjesë e të cilave nuk merreshin me fenomenin dhe t’i shërbenin debatit, por fyenin, shpesh me libër shtëpie të intervistuarin, shpesh edhe familjarë dhe të tjerë rreth tij. Ky harapash mediatik, është i papranueshëm, dhe tregon se në çfarë foshnjërie është debati ynë publik.
Kështu ndodhi edhe në disa komente në statusin tim prej njerëzve që nuk e lexuan atë të zezë mbi të bardhë, ose që nuk e lexuan fare dhe u mjaftuan të flasim. Me gjithë të drejtën e të shprehurit, unë distancohem nga çdo lloj komenti të tillë, kudo që të jetë botuar e thënë, pasi e shmang thelbin e debatit dhe të shqetësimit tim.
E përsëris se: Përveç asaj që është botuar në statusin tim, cilësimet e të cilit janë qartazi jopersonale ndaj asnjë njeriu, por ndaj një shpure që ka vrarë, ka prerë, ka burgosur, ka fyer, ka denigruar, që ka vjedhur, atëkohë dhe tani, shqiptarët dhe Shqipërinë, nuk kam bërë asnjë koment tjetër. Kjo është shumë e qartë në shënimin tim, dhe, edhe pse kam përdorur të njëjtën monedhë gjuhe të intervistës së z. Leka, këto cilësime nuk janë ndaj tij, por ndaj atyre që lutesha që ai t’i përmendte. Dhe z. Leka, me kurajon që ka, mund t’i kishte përmendur.
Madje mund të kishte përmendur edhe faktin se përse RTSH, për të cilin kontribuon, është katandisur si mos më keq, se përse kandidatet femra për në krye të tij, të denja për ta drejtuar, u zhdukën nga lista vetëm sepse ishin femra, dhe më pak të mundshme për t’u kompromentuar. Përse muzika shqiptare është në këtë gjendje dhe përse është dominuar nga kultura e vulgut, dhe me gjithë përpjekjet e tij dhe disave si ai me shije muzike, nuk e përmbysin dot këtë vulgaritet?
Këto do të kisha dashur të lexoja nga një artist të lirë si Gjergj Leka. Unë u përpoqa t’i ndaj cilësimet ndaj këtyre artisteve dhe shpreha shqetësimin vetëm mbi cilësimet mbi moralin e tyre, pasi kjo më duket e padrejtë. Pjesa tjetër, nëse ato i kanë shërbyer atij regjimi dhe nëse gjatë kësaj, kanë dëmtuar karrierën e tij, z. Leka ka të gjithë të drejtën e Zotit që t’i gjykojë dhe të kërkojë transparencë. Por edhe për këtë, besoj se ka radhë.
Bashkë me to, do të kishte qenë mirë që të gjykoheshin më parë, burrat (e martuar) që shkonin dhe i përdornin këto gra, ose thënë më mirë, që përdornin pushtetin e tyre për t’i përdorur këto gra, atëherë edhe sot e kësaj dite. Por ndryshe nga tani, kur escort girls janë një fenomen global, që e solli në treg pushteti, paraja, fuqia, dhe abuzimi i padenjë me to, atëherë nuk kishe zgjedhje.
Po të kthehesh në ato vite për të cilat flasim, këto vajza, janë veçse viktima të radhës të atij regjimi. Pa mendoje sikur të mos i përgjigjeshe tutorëve të sigurimit, ku përfundoje, ti edhe familja jote! Dhe para këtij mekanizmi, ato gra dhe vajza, kanë qenë tejet të ekspozuara. Vetëm pasi të jenë gjykuar tutorët, kemi të drejtë të gjykojmë fajtorët e tjerë.
Unë do të kisha dashur këtë gjykim të drejtë prej z. Leka, për një baraspeshë të denjë të intervistës së tij. Siç do të kisha pëlqyer edhe një shënim të vetë intervistueses, duke u distancuar nga cilësimet ndaj artisteve, gjë që do ta kishte neutralizuar edhe intervistën, dhe nuk do ta kishte lënë autorin të zbuluar në shënjestrimin publik që pasoi.
Dëgjova sot se z. Leka ka vendosur të më hedhë në gjyq, e drejtë e tij, megjithëse përsëris sot e gjithë ditë, se fjalët e mia nuk kanë lidhje me personin e tij, por me fenomenin e radhës së padrejtë në ndëshkueshmërinë shqiptare. E përsëris se ka qenë një fat i madh që gra artiste, edhe në kushte të një terrori të tillë në diktaturë, me jetën e tyre (ndokund edhe me gabime), me përpjekjet e tyre kanë sjellë regëtime drite, ndryshime, shprese dhe emancipimi.
Me gra si D. Pelingu, T. Kurti, V. Zela, M. Xhepa, Zh. Jorganxhi, Y. Mujo, Parashqevi Simaku, I. Libohova, M. Laze e disa të tjera që me ndjesë nuk i përmend dot, Shqipëria ishte më pak e egër dhe ne, gratë shqiptare, më të emancipuara. Ndaj u jemi mirënjohëse, ndryshe, Zoti e di, mund të ishim ende me shamija koke.
Kësaj mirënjohjeje i shërben edhe kontributi im, dhe asnjë lloj tjetër cilësimi. Nëse z. Leka më sheh si fajtore për fajin e tij, dhe do të paguajë para për të qenë më pak i fajshëm, unë do të mbrohem falas dhe publikisht, sepse nuk kam bërë asgjë, veç kam vënë një gur në bankinën e madhe të mbrojtjes dhe respektimit të lirisë së femrës shqiptare, detyrë që e ka secili prej nesh. Nëse ky është faj, shkoj me kënaqësi në burg, sepse fundja shkoj për një kauzë.