Suzana Alibejsi është invalide prej vitesh dhe çdo ditë është e detyruar të ngjisë shkallët me sforco të mëdha, sepse ashensori i pallatit të saj nuk është vendosur ende. Për të, ngjitja dhe zbritja e shkallëve është një torturë, që zgjat prej vitesh.
“Shyqyr që më bëri djali këto hekurat, se s’kisha ku të mbahesha. Nuk hipi e nuk zbres dot”,– thotë ajo me zërin që i dridhet prej lotëve, që i shfaqen në sy.
Për banorët e pallatit “Desla” në lagjen nr.18 të Durrësit, vendosja e ashensorit do të ishte shpëtim. Godina 11 katëshe u dëmtua rëndë nga tërmeti i vitit 2019 dhe 4 vite pas punimeve të riforcimit, 2 ashensorët ende nuk janë vendosur.
“Edhe ambulanca kur vjen, infermieri dhe doktori nuk hipin lart. Unë jam 70 vjeçe, duhet të hipi 7 kate, Eshtë e dyta herë që po ngjitem sot”.
“Kemi 4 vite dhe po torturohemi!”
“Eshtë shumë shqetësim për veprimet e përditshmërisë, për veprimet më të vogla”.
Nasild Alikaj është një nga banorët e pallatit, që prej muajsh ka nisur korrespondencën institucionale me bashkinë, Avokatin e Popullit etj për të zbuluar shkaktarët e vonesave të pajustifikueshme, sepse tenderi për vendosjen e ashensorëve në 4 pallate të dëmtuara nga tërmeti është bërë që në maj të vitit të kaluar, ndërsa ai i mbikqyrjes në nëntor 2025.
“3 vite kanë qenë me premtime të pafundme, do vihet këtë herë, do vihet vitin tjetër. Ndërkohë, vitin e fundit ka një tejzgjatje përtej normales dhe logjikës përsa i përket afateve të tenderimit për vendosjen e ashensorëve. Në momentin që bashkia Durrës e ka planifikuar këtë tender dhe fondet janë, nuk e kuptoj sesi mund të zgjasë një vit kjo procedurë dhe akoma sot e kësaj dite, këtu nuk ka filluar asnjë punim. Jemi me këto problematika që nga nëntori i 2019 dhe po bëhet gati 7 vite. Ne më në fund duam që të përfundojë kjo histori dhe ne të kemi një jetesë normale”.


“DurrësLajm” u interesua pranë bashkisë, ku mësoi se kontraktuesi për vendosjen e ashensorëve duhet ta përfundojë procesin deri në muajin maj.
Përmes këtij tenderi me vlerë 28 milionë lekë do të vendosen 9 ashensorë në 4 pallate të dëmtuara nga tërmeti.
Ndërkohë tek kompleksi “Jedas”, që u dëmtua rëndë nga lëkundja sizmike, familjet kanë paguar nga 1000 euro secila për të vendosur privatisht ashensorin, në mënyrë që të shmangnin vonesat e procedurave burokratike shtetërore.
M.B.





