Arrestohen në flagrancë katër shtetas për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Nga shërbimet e Grupit Operacional të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër në bashkëpunim me Specialistët kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-Rasim Koxha, 48 vjeç, banues në Durrës, drejtues i automjetit tip Toyota me targa AA 108 MI,

-Riza Hysa, 57 vjeç, banues në Burrel, drejtues i automjetit tip Audi, me targa AA 171 GK,

-Besim Hysa, 34 vjeç, banues në Tiranë, drejtues i automjetit tip Mercedes-Benz, me targa AA 542 HB,

-Gëzim Zeka, 29 vjeç, banues në Krujë, drejtues i automjetit tip Volkswagen, me targa AA 737 MM.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi u kapën në flagrancë nga shërbimi i Grupit Operacional të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, në rrugën dytësore në afërsi të aksit rrugor Jorgucat-Kakavijë në tentativë për të transportuar me automjetet e tyre 17 shtetas të huaj nga vendet e treta, konkretisht 16 nga Pakistani dhe 1 nga Siria.

Në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i katër automjeteve dhe katër telefona celular.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit e kryer në bashkëpunim" parashikuar nga neni 298/3 I Kodit Penal.