Një 47-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi është kapur duke trafikuar 9 kilogram, hashash, marijuanë dhe kokainë të pastër.

Operacioni u krye në Bolzano të Italisë. Agjentët bënë disa ditë vëzhgime dhe ndjekje të shqiptarit dhe e pikasën me një makinë që kishte qenë e parkuar për njëfarë kohe midis disa pallateve në lagjen “Don Bosco”.

Një banor kishte vënë re aktivitet të dyshimtë pranë makinës dhe e kishte raportuar atë në Policinë e Shtetit.

Oficerët e policisë, së bashku me një njësi qensh për kontrollin e drogës nga Guardia di Finanza, kryen një kontroll të jashtëm të automjetit, të regjistruar në emër të një shtetasi shqiptar 47-vjeçar, banues atje, i njohur tashmë për përfshirjen në hetime për trafik droge në të kaluarën.

Në bagazh u gjetën 72 “blloqe” me kanabis, me peshë 7.2 kilogramë, dhe 1 kilogram marihuanë.

Vëmendja e hetuesve ra më pas te një enë hermetike, e fshehur nën një sedilje, ku u gjetën 150 gramë kokainë.

Një kontroll i mëvonshëm i apartamentit dha gjithashtu rezultate pozitive, me sekuestrimin e 550 gramëve të tjerë kokainë.

Sërish me ndihmën e njësisë së qenve për nuhatje të monedhës të Guardia di Finanza, ata gjetën të fshehura në apartament 3,800 euro në para të gatshme, të gjitha në kartëmonedha me prerje të vogël, që besohet të jenë të ardhura nga trafiku i drogës.

Pas gjetjeve, burri u arrestua për posedim droge me qëllim shpërndarjeje dhe u dërgua në burgun lokal në dispozicion të autoriteteve gjyqësore, informon media italiane.

Në këtë drejtim, Komisioneri i Policisë Giuseppe Ferrari deklaroi:

“Operacioni i kryer konfirmon vëmendjen e vazhdueshme të Policisë së Shtetit për të luftuar trafikun e drogës dhe, në përgjithësi, të gjitha format e paligjshmërisë që ndikojnë në sigurinë lokale”.