Policia e Gjirokastrës ka arrestuar dy të rinj, pasi akuzohen për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Mësohet se në pranga ka rënë 20-vjeçari Kliton Rexha, banues në Tiranë dhe Klevis Buci 22-vjeç, banues në Dibër.

Këta dy persona u ndaluan në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, në Gjirokastër, duke transportuar me automjetin e tyre tre emigrantë të paligjshëm drejt Tiranës kundrejt përfitimit.

Njoftimi i plotë:

Goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Vihen në pranga dy shtetas, që u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit.

Sekuestrohen një automjet dhe dy aparate celular.

Nga specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative u arrestuan në flagrancë shtetasit K. R, 20 vjeç, banues në Tiranë dhe K. B., 22  vjeç, banues në Dibër.

Shtetasit K. R. dhe K. B., u kapën në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër,  duke transportuar me automjetin tip “Ford” tre emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe dy aparate celular.  Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.