Finalizohet nga policia e Krujës operacioni policor i koduar “Luzi 2”, përmes të cilit është goditur një rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Shtetasi A,M. 20-vjeç, po transportonte 2 emigrantë të paligjshëm në automjet, por u prangos nga ;policia.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Luzi 2”.

Gjatë këtij operacioni, në fshatin Luz, Fushë Krujë, u bë e mundur kapja dhe arestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 20 vjeç, banues në Kukës.

Në automjetin që po drejtonte ky shtetas ishin pasagjerë 2 emigrantë të paligjshëm, të cilët 20-vjeçari po i ndihmonte, kundrejt fitimit, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.