Nga Prof. As. Dr. Artan Xh. DUKA   

Premtimet për reforma gjithmonë merren me rezerva dhe ato “Rama” të kësaj vjeshte nuk bëjnë përjashtim. 25 vjet nuk janë pak për të mos qenë dyshues. Deri më tani ato ose kanë mbetur në letër, ose janë deformuar e krijuar problematika shtesë duke marrë peng vetë zhvillimin sikundër ndodhi me reformën për pronën, ligjin zgjedhor, presidentin etj. Urojmë të gabohemi njëherë.

Burrë shteti… me shokë shumë!

Reformat kërkojnë atë lloj politikani që ngulmon me to pavarësisht kostos elektorale (për ironi një burrë shteti nuk është çudi që të humbë zgjedhjet e radhës për shkak të efekteve afatshkurtra të reformës) dhe që fatin nuk e lidh me sediljen e kryeministrit por me “vulën” e historisë. Në këtë kontekst, Rama ka një “mur” të lartë përpara. Jo vetëm paragjykimin e stazhionuar publik si inerci e tranzicionit (politika gjithmonë ka zhgënjyer), por dhe dilemat rreth integritetit të ekipit të tij. Presioni antireformë do të jetë i madh (një reformë në drejtësi fjala vjen prish statuskuonë e një kaste të gjerë politikanësh dhe VIP-ash të përfolur për abuzim) ndaj vendimtar mbetet ekipi që i ndërmerr ato. Për më tepër kur në kushtet e “listave” të ligjit zgjedhor, profilet politike zgjojnë hamendësira teksa karrierat janë fryt i klientelizmit apo afërsisë me liderin (sesa meritë dhe “sitje” para votuesit), me efekt kjo në integritetin, pavarësinë e përgjegjshmërinë e politikanit ndaj interesit publik.

Reforma e… reforma

Deri tani, Rama dhe ekipi i tij kanë dëshmuar se kur e ndajnë mendjen për të reformuar apo vënë dorë mbi kaosin, i hyjnë punës pa ngurrim – pagesat për konsumin elektrik, zhbërja e “oazeve” të drogës, shtesat pa leje, zbatimi i kodit rrugor, “zbardhja” e pronës informale etj. Mjaft prej fushatave kanë pasur në fokus mirëfilltazi qytetarin dhe raportin korrekt me ligjin (pagesat e elektrikut, kodi rrugor etj). Inkurajuese kjo teksa dëshmon se mazhoranca, përmbi interesin elektoral, zgjodhi zbatimin e ligjit ndonëse paradokset nuk mungojnë p.sh. legalizimi i pronës informale në shpërfillje të pronarit të ligjshëm, aq sa dëshmon vullnet për t’i dhënë fund agonisë sociale shumëvjeçare dhe stimuluar tregun e pronës, po aq nuk shmang përshtypjen e përfitimit të radhës elektoral.

Ndërkohë, me reformat e pritshme të vjeshtës, preken direkt interesat e vetë elitës së tranzicionit. Reformat do të hasin pashmangshmërisht rezistencë nga brenda sistemit (“hara-kiri” politike për syresh!) duke u komplikuar me saga gjyqësore dhe spekulime “persekutimi” ndaj opozitës ndaj të cilave perëndimi shfaq ndjeshmëri. Për më tepër kur vetë mazhoranca nuk është e imunizuar nga abuzimi.

Reformat kanë hierarkinë e tyre. Disa i paraprijnë të tjerave duke qenë garanci për to. Ajo në drejtësi, së bashku me reformën e pronës dhe atë zgjedhore, mbeten premisat kryesore për normalitet demokratik . Elita e tranzicionit është përfolur vazhdimisht për një sërë ngjarjesh me fajtorin ende anonim –piramidat, ‘97 dhe anarkia që pasoi, sulmet ndaj institucioneve, abuzimet me buxhetin, vrasjet në bulevard, Gërdeci, shitja e detit, vjedhjet elektorale etj dhe drejtësia është pritshmëria kryesore në publik. Reforma në drejtësi do të nxirrte “shejtanin” nga shishja dhe askush në “Olimpin” e politikës nuk do të ndjehej më i sigurt paskëtaj dhe brezi i ri politik do të gjente më në fund konsensusin e dëshiruar historik për serinë e reformave më pas.

Drejtësi ndaj “tufave”

Sa kohë askush nuk i frikësohet drejtësisë sipas motos “mos u nda nga tufa se të ha ligji”, shpresa për normalitet demokratik mbetet ende e vakët në vend. Shëmtia e abuzimit alla “turmë” nga vjedhjet e magazinave e fabrikave pas ‘90, sulmet ndaj depove të armëve, zaptimi i tokës së tjetrit apo saj publike, mospagesat e faturave dhe shpërdorimi i shërbimeve utilitare, mbjellja “fshatçe” e kanabisit, shtesat arbitrare e zaptimi i hapësirës publike, “tarifat” e ryshfetit etj. vese të tranzicionit nuk janë veçse inerci e abuzimit “kolektiv” të politikës lart nga VKM e famshme apo ligjet klienteliste që legalizojnë apo imunizojnë abuzimin ekstrem etj. Abuzuesit ndjehen rehat(!) se kanë abuzuar në turmë dhe përgjegjësia është “kolegjiale” (njëlloj sikur një bandë hajdutësh të shpalleshin të pafajshëm sepse grabitën në “kolektiv”!). Reformat do të kenë duk vetëm nëse vihet drejtësi ndaj abuzimit elitar. Ndryshe, “fara” e mirë me “ferra” nëpër këmbë nuk zë dhe demokracia mbetet nën mëshirën e “baticë-zbaticave” të “pusetave” të llumit të korrupsionit elitar. Nëse mundëson drejtësi, mazhoranca do të krijonte precedentin se abuzimi nuk harrohet si paralajmërim ky për çdo pushtetar të sotëm apo së nesërmes në vend.

Historia nuk shkon e vjen

Nëse për Ramën vlen më shumë demokracia dhe shteti ligjor sesa fitorja në 2017-n, shansin e ka në derë. Kryeministrat shkojnë e vinë por historia bëhet veç një herë. Për të mos thënë, që me shumë gjasa, zhbërja e paragjykimit tek publiku se politika është mbi ligjin dhe “korbi korbit nuk ia nxjerr sytë”, mund të bënte që bashkë me bërjen e historisë, Rama të mund të mbante edhe për katër vjet më pas edhe stolin e kryeministrit (nuk do të ishte lajm sepse sa kohë votuesi fillon e nuhat “era” shtet, vota vjen vetvetiu).

Urojmë që për hir të normalitetit demokratik në dobi të gjithkujt por dhe vetë ambicjes historike të tij, Rama të ketë bërë pa mëdyshje zgjedhjen e duhur. Mes reformave reale (që për ironi mund ta largojnë nga pushteti) dhe pseudoreformave që konsolidojnë pushtet kulisash, zgjasin agoninë e tranzicionit por garantojnë “biletën” e turpit historik. Mbështetjen publike e ka, të perëndimit gjithashtu. Mbetet veç t’i bëjë një “rreshtore” të fundit ekipit të tij duke i blerë mendjen “si e ke syrin” gjithkujt sepse fundi-fundit nga listat vinë dhe se jo rrallë i pari që fut shkopinj nën rrota është i “yti” apo aleati me shumë dritë-hije. Shansin për të bërë histori, kryeministri bën mirë të mos e marrë të mirëqenë. 

Marrë nga gazeta “Sot”, 12 gusht 2015