Nesër vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me alternime kthjellimesh dhe vranësira deri të dendura kryesisht përgjatë relieveve malore si dhe zonën e jugut, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Në zonën e jugut parashikohen reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave apo stuhive afatshkurtra.

Gjithashtu në relievet malore të kësaj zone në lartësitë mbi 700 metër parashikohen reshje të dendura dëbore. Në pjesën tjetër të vendit reshjet e shiut të herëpashershme me intensitet të ulët.

Era do të fryjë nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 3 – 9m/sek, ndërsa në bregdet dhe lugina era relativisht intensive dhe shpejtësi deri në 16m/s duke bërë që valëzimi në dete të jetë i forcës 2-4 ballë.