Të shtunën, më 31 Mars 2018, poetesha durrsake Gladiola Busulla Jorbus mori pjesë në festivalin e VII-të të poezisë Albansk Poesi Festivalen "Sofra Poetike Borås 2018", në Suedi.
Poetesha durrsake u vlerësua me çmimin e dytë, në mes të autoreve shqiptare, suedeze, islandeze, çeke, bullgare, kurde e ruse.
Përveç poetëve nga Shqipëria, kishte edhe poetë e shkrimtarë edhe nga komunitetet e tjera që jetojnë dhe veprojnë në Suedi.
Në Festival morën pjesë më shumë se 60 poetë me poezitë e tyre. 18 poetë ishin prezent në ketë festival, ndërkohë që në garë për çmimin e parë (poezia më e mirë) u përfshinë 60 poetë.
Gjatë aktivitetit u lexuan poezitë e pjesëmarrësve dhe u vlerësuan nga juria e përzgjedhur për poezinë më të mirë. Juria nderoi me çmime 4 poetë, ndërkohë që nga një dhuratë simbolike morën edhe poetët që ishin pjesëmarrës në aktivitet.
“Qëllimi i festivalit është që të bashkojë sa më shumë poetë, shkrimtarë shqiptarë në mërgatë, por gjithashtu edhe të kombeve të tjera, kështu që mund të pasqyrojmë poezinë tonë para tyre, por edhe të tjerët para nesh, për t'u shndërruar në një festival të poezisë që i bashkon të gjithëve pa dallim identiteti, ku kryefjala mbetet poezia”, thotë poetesha Gladiola Busulla Jorgus për DurrësLajm.
Gjatë festivalit të poezisë u promovuan edhe tituj të ri librash nga autorë të ndryshëm si dhe u prezantua kultura shqiptare para poetëve nga vende të ndryshme të Evropës.
“Një takim i tillë na mundësoi që të jemi më afër gjuhës, kulturës, zakonit dhe traditës shqiptare me njëri-tjetrin si shqiptarë në mërgatë, por njëkohësisht edhe prezantimi ynë me vlerat tona para komuniteteve të tjera në Suedi”, nënvizon poetesha durrsake.
Të ftuarit në këtë festival vlerësuan punën e bashkatdhetarëve në qytetin e Boros-it e në veçanti falenderuan organizatorët; Sokol Demaku, Hamit Gurguri, Bahtir Latifi së bashku me bashkëpunëtorët e tjerë që ishin pjesë e punës dhe angazhimit të palodhur për një festival të tillë.