Në një atmosferë gati gati mistike, që vetëm Kon-katedralja ‘Shën Luçia” në Durrës di ta krijojë, poeti i ri durrsak Rei Hodo prezantoi vëllimin e tij të tretë me poezi “Blu Psalm”.

Poezitë e përfshira në këtë vëllim, që i dedikohet një prej personave më të dashur të jetës së tij, gjyshes apo nanushës siç preferon ai ta quajë, janë produkt i krijimtarisë artistike të Hodos të 2-3 viteve të fundit.

Që në titull, poeti i ri ngërthen në një të vetme dy nga shtyllat kryesore në të cilat mbështetet tematika e një pjesë të konsiderueshme të poezive të tij, detin dhe shpirtëroren.

“Poezitë i përkasin viteve të sshkuara, është një punë e bërë 2 apo 3 vite më parë, të cilat janë të panjohura për lexuesin. Vijnë për herë të parë. Titulli “Blu Psalm” ka një domethënie shumë të madhe, qoftë për mua, qoftë për librin. Një pjesë e poezive i dedikohen qytetit dhe detit prandaj është blu, ndërsa psalm është zgjedhur jo vetëm për vendin ku zhvillohet ky aktivitet, por edhe për personin të cilit i kushtohet libri, e cila është gjyshja ime, që fatkeqësisht nuk jeton më. Psalmi është një lutje drejtuar vetë poezisë, detit, por edhe një lutje drejtuar të gjithëve, pse jo”,- tha poeti Hodo.

Promovimi i librit të Hodos u realizua në bashkëpunim me Bibliotekën Publike Durrës. Vëllimi poetik ‘Blu Psalm” vjen pas dy vëllimeve të tij “Intimitete poetike”, i vitit 2021 dhe “Apricus” i botuar në 2022.

M.B.