Eva Kacanja është autore e tre vëllimeve poetike të botuara: "Statuja e shpirtit", "Në fund të zemrës tënde", “Aromë dheu",  për të cilat kritika ka dhënë vlerësimet e saj. Fituese e disa çmimeve letrare. Poetja është anëtare e bordit të revistës së klubit të shkrimtarëve dhe artistëve Durrës "Vegime letrare".

Kjo poete është përzgjedhur mes autorëve më të mirë në poezinë për nënën në librin "Karvan dashurie", botuar nga Ilirjana Sulkuqi në Amerikë. Ka qënë e ftuar në TV të ndryshme rreth poezisë etj. Nënë e dy fëmijëve. Aktualisht punon si nëndrejtoreshë në shkollën profesionale "Beqir Çela".

Dy fjalë për lexuesin

Jam fëmija e parë në familjen time dhe duke patur pas vetes dhe tre motra e dy vëllezër, më duket se u rrita më shpejt, sikur u rrita paralelisht me prindërit. Përjetimet e mia të para, emocionet kam nisur t'i hedh në vargje në klasn e gjashtë. Në klasën e tetë fitova çmim të parë me një poezi për vjeshtën.

Kjo ishte dallëndyshja e parë që solli tek unë pranverën poetike. Kur isha studente në shkollë të mesme, im atë vinte çdo dy-tre ditë dhe interesohej për notat e mia. Gjithmonë kishte ankesa nga mësuesi im i matematikës, i cili ankohej se nuk isha e përqendruar, sepse mbaja nën bankë libra jashtë-shkollorë.

Që atëherë im atë, u bë miku im më i mirë duke më sjellë për të lexuar 5-6 libra njëherësh, nga biblioteka. U njoha me kryeveprat e letërsisë botërore. U mrekullova pas Bërnsit, Hajnes, Witman, Esenin. Botoja vazhdimisht poezi në gazetën e Krujës. Botova poezi tek "Drita". Kur isha nxënëse në vitin e katërt në gjimnaz, në 1990-ën fitova vendin e parë në Olimpiadën e parë kombëtare të letërsisë, organizuar nga Ministria e Arsimit. Falë çmimit fitova dhe bursën në degën gjuhë – letërsi, pranë Fakultetit Filologjik në Tiranë.

Në 1995-ën botova vëllimin e parë poetik "Statuja e shpirtit". Emocion i jashtëzakonshëm. Aty kam parë prindërit e mi të qanin nga gëzimi. Që në atë moment u betova, që në çdo botim të ri unë do të jem “Eva Esat Kacanja”. Emri i tim eti do më shoqërojë gjithmonë në art. Kur shkruaj poezi, nuk ulem kurrë të shkruaj se duhet. Jo! Nuk ka për të ndodhur kurrë.

Nuk jam dembele, e gjej kohën gjithmonë për ç’ka dua, por duhet të vijë frymëzimi nga brenda. Është energji, të përshkon qënien, të heq nga çdo gjë tjetër kur ajo shkëndijon, të mbërthen. Nëse e lë, e harron dhe nuk e kap më fillin. Shkruaj ku të mundem, kur më vjen frymëzimi. I hedh fjalët në celular, letër ku të mundem. Të jesh poet është bekim, çlirim shpirtëror, liri që jo gjithkush e ka, ose e kupton. “Poeti sheh dritë atje ku ka terr, poeti ndjen frikë dhe atje ku gjithçka rrëzëllen”.

Të jem realiste, raporti autor-tekst-lexues, për mua është në lidhje të zhdrejtë. Jo të gjitha veprat e një autori kanë pritshmërinë e duhur, por lexuesi është selektiv, përzgjedh. Në fakt dhe Nobelin kur e merr, e merr për një vepër jo për krijimtarinë. Preferencat janë diçka tjetër. P.sh unë kam lexuar gjithçka të Drajzerit, Aliendes, Coelho, Stig Larson etj. Duke përfunduar them me bindje, se arti i mirë e gjen veten gjithmonë. Është si vera, merr vlerë me kohën!

 

Përkohësisht

Dëshira të hedhura tutje,

Me pahir,

Uni ngujuar,

Në të gurtën kullë,

Asnjë dritë,

Xixëllonjat i tremben lartësive,

Vetëm lëkura

Që si hënë ndrin,

Dhe nata që klith:

"Ti je e bukur!"