Përkitazi me vëllimin poetik "INANNA" të Gladiola Busullës
"Një pjesëz shpirti
shkëputur përgjithnjë
me ajrin puthet…."
Kështu ndjehet poezia e Gladiolës. Duket sikur vjen nga deti me valë dhe shprishet në bregun ndjenjësor të saj.
Dashuria për Innanën është dashuri për simbolin e femrës, është dashuri për vetveten. Adhurimi pa mbështetje është flluskë që shpërthen e zhduket. Poetesha përballet me shfrimet që gëlojnë brenda saj dhe nuk përpiqet t'i shtypë, t'i ndrydhë, por i lëshon lirshëm, i shprehë me artin e fjalës. Jeta është përplot me ngacmime. Këto ngacmime dalin si këngë që lëvrojnë shpirtin dhe këndohen në vargje.
Talenti poetik i Gladiolës mund të shihet në ato pjesë më sublime që provokon ajo me mendimet dhe ndjenjën e saj. Poetja nuk përshkruan, por shfryn. Syri i saj sheh përtej, veshi dëgjon edhe kur nuk ka zë, shqisat janë tendosur dhe shkaktojnë kontraktimet e fjalëve që i përzgjedh dhe shpesh i shkrin në vargjet, siç e thekson në parathënie z. Gjeluci, antitezë.
Të gjitha poezitë më të spikatura kanë element vetëdijen se, edhe kur nuk "përmbahet", është e sinqertë drejt asaj kah shkon. Dashuria e saj është ndjenjë dhe jo opinion, është vetëdije dëshire dhe jo shpërthim instinkti. Shpesh ndeshemi me emocionin se kufijtë e përjetimeve në jetë janë të paarritshme plotësisht: "O Lumturi e përnjëmendtë / Ti kur do të vish?!" që përkon me kuptimin e përjetësisë së universalitetit.
Gladiola nuk zgjedh asnjë rrymë poezie ku të mbështetet. Natyrshmëria e dalë drejt nga intuita e saj formon poezinë jo si ndjenja e mendime forme, por si rrjedhë që fërkohet nëpër gurë, trungje, që mbart gjethe e lule. Këto përçojnë emocione të gjalla.
Njeriu është poezi deri sa ka ndjenja dhe mendime. Këtë tezë Gladiola e qëmton në tërë qenien e saj dhe e përgjithëson në mbretërinë e ndjenjave. Dashuria e gruas nuk është subjekt "lufte" për të realizuar dëshirën, cilado e sidoqoftë ajo. E thonë fjalët që Gladiola përdor, me një autenticitet të lakmuar. Shohim qartë se ajo nuk dëshiron, madje as që e ka në ndonjë cep të ndërgjegjes, të duket nga ç'nuk është. Vëzhguese, (jo pa e përzënë ndjenjën) depërton qetësisht, në mënyrë inventive, dhe arrin në thellësinë e dhembjes, apo të gëzimit. Qetësia olimpike nuk ka vend.
Nuk e dallon dot se më shumë ka ndjenjë apo mendim. Të dyja përbëjnë poezinë me tipare gjuhe disi të veçantë, jo përzgjedhje sa për të thënë, por në funksion të natyrës poetike të saj. Dhe kjo të shtyn t'i lexosh më me vëmendje vargjet. Dhe nuk orvatet të mrekullojë atë që do të lexojë, por i thotë "kjo jam".
Përse poetja e bën këtë? As për t'i bërë të vështira poezitë të kuptohen, se pastaj nuk do të ishin më poezi, por as që të merren shkel e shko. Vargjet dergjet vetvetishëm, s'ke çfarë të mundohesh, se kaplohesh nga shijimi i tyre. A ka fakte të tilla që kanë për qëllim të forcojnë poezinë. Vërej në këtë përmbledhje se faktet janë të pakta dhe shkrihen fort mirë në brendinë poetike. Kjo "mangësi faktesh" vjen se Gladiola sheh nga brenda dhe nuk i intereson opinioni i jashtëm. Nuk lëshohet në referenca dhe idetë e njohura i bluan brenda ndjenjës, duke i nxjerrë origjinale sipas integritetit poetik që ngërthen qenien e saj.
Mendimet që shpreh (natyrisht me emocion) nuk i "diskuton": me askënd dhe as nuk i fshehë me ndonjë farë figure abstrakte, por as nuk druhet nga jeta dhe përjetësia. Qartësia, si pikëpamje, mbizotëron dhe kjo e bën poezinë e saj fluide të perceptohet dhe ndjehet. Mund të kërkojmë edhe gjakftohtësi, pra racionalizëm. Pothuajse nuk ka. Nëse për poezinë është thënë se është arti i "të thënit të të pathënshmes", atëherë në poezinë e Gladiolës shpesh kemi rastet e të "thënit të të pathënshmes".
Edhe në këtë vështrim nuk e kisha për qëllim të them të pathënshmet, pra ndonjë farë misteri poetik, as për të zbuluar kashelashën poetike, pasi nuk ka në këtë vëllim, as për të rrudhur buzët për ndonjë lëshim patetik, apo natyral, që përsëri nuk ka. Poezia e krijuar nga Gladiola, që siç e thash në fillim sikur ka dalë nga deti, fëshfërin me freski nëpër halat e pishave që nuk vyshken. Dhe siç thotë proverbi suedez "ata që duan të këndojnë e gjejnë një këngë", Gladiola e ka gjetur.